Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “njerëzit kanë votuar në 14 maj, sepse pavarësisht se janë të pakënaqur, kanë akoma pritshmëri të lartë ndaj nesh dhe besojnë fort që vetëm ne mund t’i bëjmë gjërat që ata presin”.
Në fjalën e tij në takimin falënderues në Gjirokastër, Rama tha se, “kjo nuk është arsye të mbushemi me vetëkënaqësi dhe të ndihemi sikur kemi lumturuar njerëzit. Në duhet të ndihemi jashtëzakonisht të sfiduar se na është hedhur një dorashkë nga një shumicë që po të shikoni votat, është shumica më e madhe që ka votuar PS”.
“Vota e 14 majit nuk është një votë kënaqësie , njerëzit nuk kanë votuar për ne kaq masivisht se janë të kënaqur me ne, këtë duhet ta kuptojmë shumë mirë nëse duam të mos fluturojmë siç thotë Tërmeti, ‘të mos fluturojmë me barishte nga mbrapa’. Duhet ta kuptojmë që njerëzit janë të pakënaqur me ne, duhet ta kuptojmë shumë mirë që çdo votues i yni dhe çdo njëri nga ju këtu që i shërben kësaj force politike me përkushtim dhe ka dhënë shumë më tepër se ka marrë po ta pyesësh a je i kënaqur do të thotë , jo nuk jam i kënaqur”, tha Rama duke shtuar se ka shumë gjëra për të mos qenë të kënaqur.
Më tej Ram u shpreh se, “ky është takimi i veçantë për t’iu thënë juve që jeni këtu se ju jeni bërthama e PS dhe jeni zemra e kësaj fitoreje shumë faleminderit për angazhimin tuaj, për përkushtimin tuaj, disiplinën dhe mënyrën si i dhatë jetë kësaj përpjekje e kësaj fitoreje. Kjo është fitorja me kuptimplotë e PS që kur unë jam në drejtimin e saj nga pikëpamja e mbështetjes”.
“Ndryshe nga të gjitha zgjedhjet vendore kush është më afër me ne tradicionalisht votat shkojë për kandidatin e pastaj copëtohen për këshillat dhe në fund dy partitë e mëdha, ishin dy parti të mëdha, tani është vetëm njëra, bien në rezultat këtë herë nuk ka ndodhur këtë herë kemi PS forcë të parë thuajse në të gjithë territorin e vendit dhe kemi një panoramë befasuese për shumëkënd, por nuk duhet të jetë befasuese . PS është forcë e parë në Shkodër, Dibër, Lezhë, në Kamzë, ku nuk ka qenë kurrë forcë e parë në 30 e ca vite që kur janë bërë zgjedhjet e para pluraliste”, nënvizoi Rama.
Natyrisht, vijoi Rama, “që për ata që humbin dhe shkojnë nga humbja në humbje shkojnë keq e mos më keq shpjegimi është ai që kemi dëgjuar qysh në humbjen e parë që votat ishin të tyre, por ua rrëmbeu Tërmeti me mafien”.
“E vërteta është ndryshe, mjafton të shkosh në Kamzë të vizitosh, çerdhet, kopshtet, qendrat shëndetësore për të kuptuar sepse këtë herë banorët e Kamzës votuan 60% për kandidatin e PS. Votuan ata dhe votuan shumica e shqiptarëve kudo dhe përfshirë një pjesë e atyre që janë djathta dhe nuk e kanë votuar PS asnjëherë, votuan për kandidatët tanë për një arsye shumë të thjeshtë si votuan ata në Kamzë për fëmijët e tyre, që shkojnë në kopshte, çerdhe, shkolla që janë njësoj si çerdhet , kopshtet e shkollat më të mira të Tiranës. Deri dje kishin shkollat më të këqija, pa kushte më minimale të infrastrukturës nuk kishin kopshte as çerdhe. Sot Kamza ka një çerdhe dhe kopsht që ka marrë çmim ndërkombëtar”, tha Rama.