Deputeti i Partisë Socialiste, Bardhyl Kollçaku e konsideroi historike vizitën në Tiranë të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, me rastin e organizimit të samitit për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor.

Në një intervistë televizive, Kollçaku u shpreh se aktualisht, Zelensky është lideri me mbështetjen më të madhe botërore.

Sipas tij, Shqipëria, në proporcion me ekonominë e saj, është ndër 5 kontribuesit më të mëdhenj për Ukrainën.

“Vizita e Zelensky është një vizitë historike, është lideri me mbështetjen më të madhe botërore sot për sot. Ai vjen në Shqipëri në samitin e Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës, për të garantuar mbështetje më të thellë, më të fortë për Ukrainën. Për vendin tonë, merr rëndësi që jemi drejtues të këtij samiti. Është konfirmim i rolit dhe mbështetjes së Shqipërisë për kauzën ukrainase, vijimi i mbështetjes që kemi dhënë në Këshillin e Sigurimit, por edhe në vijim, sepse Shqipëria nga janari i këtij vitit, është anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut. Është vizitë shumë e rëndësishme”, theksoi ai.

Kollçaku bëri të ditur se “nuk është sekret te thuhet se Shqipëria në proporcion me ekonominë, është një ndër 4-5 kontribueset më të mëdha për Ukrainën”.

“Besoj se do të ketë të bëjë më shumë me ndihma ushtarake, trajnime, ndihma të ndërsjella. Kemi dhënë kontribute sensitive për Forcat e Armatosura të Ukrainës. Unë besoj se edhe vende të tjera do të konfirmojnë mbështetjen për Ukrainën, që të marrë ftesën për në Aleancë. Në të ardhmen, edhe Ukraina do të jetë pjesë e pandarë. Ata po bëjnë luftën e tyre, por edhe luftën tonë”, tha ai./ata