Banorët e zonës së Bërxullës kanë protestuar mëngjesin e sotëm për projektin e aksit rrugor Thumanë-Kashar, ndërsa për të qetësuar protestuesit kanë qenë prezente në zonën përreth edhe forcat e policisë duke formuar një barrikadë.

 

 

Kjo nuk është protesta e parë që ndodh nga banorët e kësaj zonë lidhur me këtë shqetësim, pasi mësohet se ata nuk janë dakord me skemën e shpronësimit të pronave të tyre që preken nga projekti i rrugës.

 

Sipas tyre çmimi i tregut për pronat e tyre është rreth 50 euro për metër katror, ndërsa atyre u është ofruar një kompensim me rreth 4 euro për metër katror, gjë që ata e kanë refuzuar kategorikisht.

 

Një prej banorëve ka bërë thirrje se kjo rrugë do ketë fatin e kalasë së Shkodrës, duke thënë se “rruga do ndërtohet ditën e do shembet natën”, ndërsa të tjerë banorë të zonës kanë deklaruar në kor se “do t’i mbrojnë pronat me gjak”.

 

Sakaq, banorët kanë tentuar më tej të kalojnë në rrugë, ku janë përplasur edhe me kordonin e forcave policore të cilët nuk kanë mundur të ndalojnë banorët e zonës të bllokojnë rrugën që të dërgon drejt aeroportit të Rinasit.