Gjykata në New York ka marrë vendimin për "lirimin me kusht" për të akuzuarin Recep Akbıyık i cili më 22 maj sulmoi me levë hekuri Shtëpinë Turke (Türkevi) në New York në të cilën ndodhet Përfaqësia e Përhershme e Türkiye-s në Kombet e Bashkuara (OKB) dhe Konsullata e Përgjithshme në New York të SHBA-së.

 

Akbıyık doli sot përpara gjyqtarit në gjykatën penale të New Yorkut në orën 20:30 me orën lokale. Gjyqtari ka dhënë vendimin e lirimit me kusht për Akbıyık ndaj të cilit përmes një përkthyesi iu drejtuan akuzat për "grabitje në tentativë, krim terrorist dhe armëmbajtje për krim, kërcënim terrorist, kanosje dhe kërcënim".

 

Po ashtu gjyqtari ka ndaluar që Akbıyık t'i afrohet Shtëpisë Turke dhe përreth saj në çdo mënyrë.

 

Seanca e ardhshme gjyqësore caktua nga gjykata më 25 korrik. Akbıyık pas seancës gjyqësore nën shoqërimin e forcave të rendit u transferua në Departamentin e Psikiatrisë dhe Sëmundjeve Neurologjike të Spitalit Bellevue të New Yorkut për të përcaktuar nëse ai është apo jo mendërisht i qëndrueshëm.

 

- U kap 4 ditë pas ngjarjes

 

Në një deklaratë me shkrim nga Departamenti i Policisë së New Yorkut (NYPD) u theksua se i dyshuari u arrestua më 26 maj në orën 10:15 me kohën lokale.

 

Kundër 29 vjeçarit Recep Akbıyık u tha se janë drejtuar akuzat për "grabitje në tentativë, krim terrorist dhe armëmbajtje për krim, kërcënim terrorist, kanosje dhe kërcënim".

 

- AA njoftoi arrestimin e tij

 

Burimet e siguruara nga AA, njoftuan se i dyshuari u arrestua dje në mëngjes nga NYPD.

 

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan lidhur me ngjarjen ka thënë se "(Autoritetet e SHBA-së) Shtëpia Turke (Türkevi) u është besuar juve atje. Duhet të gjeni këtë terrorist i cili ka thyer xhamat e Shtëpisë Turke me levë".

 

Ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu kërkoi nga SHBA-ja identifikimin me shpejtësi të autorëve të sulmit ndaj Shtëpisë Turke dhe të sigurojë mbrojtjen e nevojshme për përfaqësuesit diplomatikë të Türkiye-s".

 

- Agresori dëmtoi dyert dhe dritaret e Shtëpisë Turke

 

Reyhan Özgür, konsulli i përgjithshëm i Türkiye-s në New York, në një deklaratë për gazetarin e AA-së më 22 maj vuri në dukje se sulmi u krye në orën 03:14 me kohën lokale, se një person i paidentifikuar u afrua në Shtëpinë Turke në bulevardin "46" dhe me levë hekuri në dorë dëmtoi dyert e hyrjes dhe dritaret (xhamat).

 

Duke thënë se si pasojë e sulmit u dëmtuan gjithsej 12 dritare, përfshirë 2 xhama të derës dhe 10 xhama të fasadës së konsullatës, Özgür tha se "Menjëherë u njoftua Departamenti i Policisë së New Yorkut dhe u sigurua ardhja e ekipit të policisë në vendngjarje. Autori i paidentifikuar u largua duke lënë pas levën e hekurit që ka përdorur në sulm. U kemi përcjellë autoriteteve lokale se pritet identifikimi dhe kapja e autorit".

 

"Pas vendosjes në shërbim të ndërtesës së Shtëpisë Turke, ne kemi kërkuar vazhdimisht nga Departamenti i Policisë së New Yorkut që të sigurojë një kabinë të përhershme sigurie në lidhje me kërcënimet ndaj sigurisë së ndërtesës. Kërkesa jonë nuk ka marrë përgjigje pozitive deri më tani. Incidenti që ndodhi sot tregon se sa të justifikuara dhe të vlefshme janë shqetësimet tona të sigurisë", deklaroi Özgür.

 

Në Shtëpinë Turke, ndodhet Përfaqësia e Përhershme e Türkiye-s në Kombet e Bashkuara (OKB) dhe Konsullata e Përgjithshme e New Yorkut.

 

Në zonën ku ndodhet Shtëpia Turke, pikërisht përballë ndërtesës së OKB-së, janë të pranishme përfaqësi të përhershme të shumë vendeve, përfshirë SHBA-në si dhe konsullata të përgjithshme.

 

Autoritetet turke përcaktuan se sulmuesi ishte Recep Akbıyık, i regjistruar si banor në qytetin Giresun dhe se në Türkiye ku ai ka bërë dalje vitin e kaluar ka precedentë penalë për shkak të "plagosjes, kërcënimit dhe posedimit të drogës" dhe këto informacione ia përcollën Departamentit të policisë së New Yorkut./AA