Gjykata e Lartë Federale (STF) e Brazilit votoi për dekriminalizimin e posedimit të marijuhanës për përdorim personal, njoftoi agjencia kombëtare e lajmeve publike e drejtuar nga qeveria, Agencia Brasil.
Vendimi erdhi të martën pas nëntë vitesh diskutime dhe pezullime të shumta, tha Agencia Brasil.
Ajo tha se “numri i gjyqtarëve që votuan pro dhe kundër dekriminalizimit nuk është bërë i ditur zyrtarisht”.
Pavarësisht dekriminalizimit, mbajtja e marijuhanës “mbetet sjellje e paligjshme”, që do të thotë se konsumi publik është “ende i ndaluar”, tha agjencia.
Në lajm vihet në dukje se dënimet për përdoruesit tani do të jenë “administrative dhe jo penale”, duke eliminuar rrezikun e një “regjistri penal” dhe duke paraparë “dënime me shërbim për komunitetin”.
Agencia Brasil tha se Presidenti i Gjykatës së Lartë Luis Roberto Barroso sqaroi qëllimin e vendimit gjatë seancës.
“Në asnjë moment nuk po legalizojmë apo themi se përdorimi i drogës është një gjë pozitive. Përkundrazi, ne thjesht po shqyrtojmë mënyrën më të mirë për të trajtuar këtë epidemi që ekziston në Brazil dhe strategjitë që ne kemi miratuar nuk funksionojnë sepse konsumi vazhdon të rritet dhe fuqia e trafikimit gjithashtu”, ka thënë ai.
Gjykata do të përcaktojë sasinë e marijuhanës që përbën përdorim personal, me propozimet aktuale që sugjerojnë “midis 25 dhe 60 gram, ose gjashtë bimë femërore kanabisi” tha Agencia Brasil.
Ajo tha se vendimi i STF-së shqyrtoi “kushtetutshmërinë e nenit 28 të Ligjit për Drogën (Ligji 11,343/2006)”, i cili fillimisht parashihte dënime penale për përdoruesit e drogës.
Ligji tani do të zbatojë “dënime alternative, të tilla si shërbimi në komunitet dhe kurse arsimore”, por pa implikime penale, thuhet në lajm./aa