Misioni i KFOR-it në Kosovë pas tensioneve të nisura mëngjesin e kësaj të hëne në Veri, përmes një komunikate i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë, që të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

 

Misioni i NATO-s në Kosovë thekson se kjo është e vetmja rrugë për të ulur tensionet.

 

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet që mund të nxisin tensione ose përshkallëzim”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

 

Në komunikatë thuhet se janë të gatshëm që të ndërmarrin masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të qetë e të sigurt.

 

Mëngjesin e së hënës, misioni i Aleancës Veriatlantike në Kosovë ka shtuar praninë në katër komunat veriore.

 

“Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me përfaqësuesit e Institucioneve dhe Organizatave të Sigurisë në Kosovë, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, si dhe me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtar”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

 

Ditën e sotme serbët në veri janë duke protestuar para objekteve komunale, ku në mëngjes disa protestues kanë tentuar të hyjnë dhunshëm në komunën e Zveçanit dhe ka ndërhyrë Policia e Kosovës duke i ndaluar.