Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj paraqiti sot në Komisionin e Punës dhe Çështjeve Sociale ndryshimet në ligjin “Për strehimin social”.

 

Ibrahimaj bëri të ditur se ndryshimet ndër të tjera sigurojnë zgjerimin e përfituesve edhe me kategorinë e të punësuarve në administratën publike, të rinjtë dhe familjet e reja.

 

“Përmes ndryshimeve po i japim zgjidhje njërës prej sfidave të kohës, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet e BE – atë të largimit të shtresës së mesme dhe përkeqësimit të situatës së tyre ekonomike, duke krijuar mbështetje për familjet e reja, të rinjtë dhe punonjës të administratës publike, të cilët kanë shpenzuar kohë e kapital për t’u shkolluar dhe që kontribuojnë në ekonominë e vendit”, tha ministrja.

 

Sipas saj, krahas masave që Qeveria po ndërmerr për rritjen e pagave, programi politik qeverisës 2021-2025 synon të adresojë nevojën e familjeve të reja për strehim dhe krijimin e më shumë mundësive dhe siguri për të rinjtë në krijimin e familjes dhe ndërtimin e të ardhmes në vendin e tyre.

 

“Ndryshimet propozojnë riformulimin e kategorisë “çift i ri” në “familje të reja” (shpesh herë është keqinterpretuar se çifti i ri nuk përfshin fëmijët) si edhe ndryshimin e kufirit moshor, duke qenë se familjet e reja po krijohen gjithnjë e më shumë në një moshë më të madhe se më parë”, u shpreh Ibrahimaj.

 

Ministrja theksoi se ndryshimet ligjore propozojnë shtimin e një kapitulli të ri që adreson mbështetjen me kredi të lehtësuara për strehimin e punësuarve të administratës publike.

 

“Programi i kreditimit të lehtësuar është nga programet më të kërkuara nga qytetarët. Në vitin 2013 ky program u pezullua për shkak të mbartjes së një borxhi prej mbi 300 milionë lekë ndaj bankës me të cilën zbatohej ky program. Në vitin 2019 e rihapëm përsëri programin duke parë edhe rënien e normave të interesit. Nga viti 2020 kanë përfituar 1 150 familje dhe janë në proces edhe 1 500 familje të tjera, por procesi është ngadalësuar për shkak të vështirësive në gjetjen e banesave me çmime të përballueshme në treg”, tha Ibrahimaj.

 

Lidhur me këtë të fundit ministrja informoi se Këshilli i Ministrave ka miratuar udhëzimin mbi metodologjinë e llogaritjes së vlerave mesatare të shit-blerjes së banesave në treg. Kjo metodologji ka munguar deri më sot dhe tashmë bëhet e mundur që, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Enti Kombëtar i Banesave të llogarisë sa më parë vlerat e rishikuara të tregut të banesave.

 

Një tjetër risi që sjell ligji i ri është digjitalizimi i plotë i sistemit të strehimit.

 

“Digjitalizimi i sistemit të strehimit mbart disa avantazhe si për qytetarët ashtu edhe për administratën vendore e qendrore. Për qytetarët bëhet më i thjeshtë procesi i aplikimit për strehim dhe më transparent procedura e përzgjedhjes. Lidhur me sistemin e digjitalizimit të strehimit, ligji ka pësuar disa ndërhyrje, të cilat mundësojnë: nxjerrjen e një akti nën ligjor që do të përcaktojë procedurën e paraqitjes së kërkesës online dhe rolet e përdoruesve, si edhe procedurën e miratimit, duke e bërë të gjithë procesin transparent; ngritjen online të data-bazës së strehimit për Republikën e Shqipërisë”, deklaroi ajo.

 

Një tjetër ndryshim është edhe përfshirja e masa administrative që sipas ministres do të kontribuojnë në rritjen e përgjegjshmërisë në zbatimin korrekt të parashikimeve ligjore.

 

Masat administrative i referohen strukturave zbatuese të parashikimeve ligjore, të cilat janë në nivelin e vetëqeverisjes vendore.

 

“Këto ndërhyrje, garantojnë bashkëpunim më të mirë mes qeverisjes vendore dhe qendrore, monitorimin nga qeverisja qendrore të zbatimit të programeve të strehimit social, si dhe zbatimin e sanksioneve administrative për mosrespektimin e dispozitave të ligjit, si masa që synojnë forcimin e zbatimit të tij, dhe llogaridhënie për zbatimin e programeve të strehimit social në njësitë e vetëqeverisjes vendore”, tha ajo.

 

Ndryshimet ligjore të propozuara parashikojnë ndërhyrje që mbështesin shtresat më në nevojë dhe që vinë në kuadër të kërkesave të ngritura nga individë, familje apo dhe përfaqësues të shoqatave.

 

Konkretisht, bëhet fjalë për lehtësimin e procedurës për aplikim për strehim për ata që nuk kanë akses ose njohuri në përdorimin e teknologjisë e informacionit, shërbim të cilin e marrin pranë zyrave me një ndalesë pranë njësive të vetëqeverisjes vendore ku kanë vendbanimin ose vendqëndrimin, të dedikuar për këtë qëllim; sigurimin e dokumentacionit online nga njësia e vetëqeverisjes vendore për personat me aftësi të kufizuara apo dhe familjeve pa të ardhura; lidhjen e kontratës jo detyrimisht përpara noterit, por në prani të punonjësit të NJVV-së; rregullim i procedurave në rastet e emergjencës, për të shmangur afatet që kërkohen për shqyrtimin dhe miratimin e përfituesve; si dhe zgjatjen e afatit pa limit kohor për kategorinë e minoritetit rom për diskriminim pozitiv në trajtimin me strehim.

 

Nga viti 2014 deri më 2020 fondet në dispozicion të programeve të strehimit janë shumëfishuar dhe, konkretisht: janë shpërndarë rreth 3.3 miliard lekë, për strehimin e 12,750 familjeve, nga të cilat mbi 8 mijë familje të komuniteteve të varfra dhe të pafavorizuara. Gjatë mandatit të tretë, përfshi edhe vitin 2023, janë shpërndarë rreth 2 miliard lekë dhe janë planifikuar të shpërndahen 2.4 miliard lekë të tjera deri në vitin 2025, për strehimin e rreth 13,900 familjeve.

 

“Sfidat tona të përcaktuara në këto ndryshime ligjore për të shtuar numrin e përfituesve nga program i kreditimit të lehtësuar me nga 2 000 përfitues çdo vit në tre vitet e para i kushtojnë buxhetit të shtetit përkatësisht 228 milionë lekë vitin e parë, 434 milionë lekë vitin e dytë dhe 584 milionë lekë vitin e tretë për gjithsej 6 000 familje”, deklaroi ministrja.