Ndërsa jemi zyrtarisht në sezonin e vjeshtës i cili pasohet me shira dhe shpesh me përmbytje të tokave bujqësore, qeveria po merre masa për ndërhyrje të reja në rrjetin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit.
Ministra e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur 4 tendera për kryerjen e studim projektimeve për objektet e programit të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit.
Në total tenderat kanë në dispozicion një fond limit prej rreth 25 milionë lekësh.
Konkretisht, tenderat kanë si objekt kryerjen e “studim projektimeve për objektet e programit të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit”, për Drejtorinë e Ujitjes dhe Kullimit Durrës, me vlerë 4.5 milionë lekë, Drejtorinë e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, me fond limit 8 milionë lekë, Drejtorinë e Ujitjes dhe Kullimit Fier, me një fond gjithashtu prej 8 milionë lekësh, dhe për Drejtorinë e Ujitjes dhe Kullimit Korçë, me një fond prej 4.3 milionë lekësh.
Afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është data 16 tetor, ndërsa subjekti fitues ka detyrimin që të dorëzojë studimin deri 30-40 ditë nga nënshkrimi i kontratës.
Me aktin e fundit normativ të miratuar në muajin Gusht, qeveria shtoi 400 milionë lekë fonde në buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë për projektet e reja dhe në vazhdim të këtij institucioni për vitin 2024, reflektuar edhe për vitet 2025-2026, të cilat konsistojnë në sektorin e ujitjes dhe kullimit.
Për vitin 2024, buxheti i investimeve për menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes ishte rreth 1.6 miliardë lekë, nga të cilat në 4 muajt e parë të vitit është realizuar 21%./Scan