Sot është shpalosur raporti vjetor për ekonominë dhe financat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

 

 

 

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete prezantoi sot, më 30 maj 2023, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Raportin e veprimtarisë së Autoritetit për vitin 2022.

 

Mete bëri një pasqyrim të zhvillimeve kryesore të vitit të kaluar, si edhe paraqiti disa nga drejtimet kryesore ku do të përqendrohet veprimtaria e Autoritetit për periudhën në vazhdim.

 

Në fillim të fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se viti 2022 ka pasur zhvillime të rëndësishme në tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit, si edhe në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Gjatë takimeve Bilaterale, ekspertët e Komisionit Evropian vlerësuan progresin e bërë në kuadër të përafrimit me Direktivat Evropiane dhe angazhimet e marra për plotësimin e rekomandimeve në Kapitullin 9, të drejtuar nga Autoriteti.

 

Më tej, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv evidentoi avancimin domethënës të Autoritetit në vlerësimin e bërë nga Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS) mbi përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare. Në raportin e grupit të vlerësimit, rezulton se niveli i përputhshmërisë është rritur në 77.9%, krahasuar me 47.4% që ishte mesatarisht në vlerësimin e fundit që është bërë nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në vitin 2014. Në vitin 2022, AMF u bë rregullatori i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që aderon në Memorandumin Shumëpalësh të Mirëkuptimit të IAIS për shkëmbim informacioni dhe mbikëqyrje efektive në sigurime.

 

Sa i përket ecurisë së tregjeve nën mbikëqyrje, Mete u shpreh se në fund të vitit 2022, në tregun e sigurimeve, dëmet e paguara në numër ishin në nivelin më të lartë historik. Pagesat e  dëmeve sollën një ulje të ndjeshme të numrit të dëmeve pezull, të cilat arritën në 13.4% të gjithë dëmeve të trajtuara nga shoqëritë e sigurimit, shifra më e ulët historike. Referuar impaktit të ligjit të ri të sigurimit të detyrueshëm motorik, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv përmendi uljen e mëtejshme të komisioneve të ndërmjetësimit deri në një mesatare prej 16%, daljen e Byrosë së Sigurimeve nga monitorimi 10-vjeçar i Këshillit të Byrove, kryesisht si pasojë e përmirësimeve ligjore, pagesën e dëmeve Fond Kompensimi në rreth 87% të rasteve përmes siguruesit të drejtpërdrejtë me procedura më të përshpejtuara, si edhe përdorimin në rreth 23% të rasteve të dëmeve të Raportit Evropian të Aksidenteve.

 

Në lidhje me zhvillimet në tregun e sipërmarrjeve të investimeve kolektive, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv u shpreh se të dhënat e muajve të parë të vitit 2023 tregojnë se fondet e investimit i janë rikthyer rritjes, pas ndikimeve të vitit të kaluar, të ardhura kryesisht si pasojë e zhvillimeve të tregjeve ndërkombëtare dhe rritjes së normës bazë të interesit. Investimet u orientuan drejt titujve të Qeverisë, ku gjatë vitit 2022 blerjet e individëve arritën në 49.6 miliardë lekë, me një rritje rekord prej 216% krahasuar me një vit më parë.

 

Në tregjet e kapitalit, Mete veçoi emetimin e parë me ofertë publike të një shoqërie tregtare në Bursë si një moment të rëndësishëm, i cili mund t’i hapë rrugën edhe emetimeve të tjera në të ardhmen. Zgjerimi i shërbimeve të investimit të subjekteve që operojnë në tregun e kapitaleve, si edhe rritja e mëtejshme e emetimit të obligacioneve me ofertë private janë sinjale pozitive për zhvillimin e mëtejshëm të këtij tregu.

 

Në fund të fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv përmendi disa nga drejtimet kryesore të veprimtarisë së Autoritetit përgjatë këtij viti dhe në vazhdim, bazuar edhe në strategjinë 5-vjeçare të AMF, me fokus përafrimin ligjor me kuadrin evropian, ndërmarrjen e nismave në kuadër të financave të gjelbra, avancimin e mëtejshëm në standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në mbikëqyrje, etj.