Sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit 2024, në një anketim që analizon sfidat kryesore të ekonomive në Ballkanin Perëndimor,rezulton se tre problemet kryesore që përballen këto vende janë rritja e çmimeve, situata e përgjithshme ekonomike, dhe papunësia.
Në të gjithë rajonin, 64% e të anketuarve vlerësojnë rritjen e çmimeve dhe inflacionin si problemin më të madh që përballet ekonomia e vendeve të tyre. Ky shqetësim është veçanërisht i theksuar në Serbi, ku 73% e qytetarëve janë të shqetësuar për rritjen e çmimeve. Shqipëria është e dyta, me 71% të popullsisë që e konsideron inflacionin dhe koston e jetesës si një nga problemet më të mëdha. Ndërsa në Bosnje Hercegovinë qytetarët janë më pak të prekur nga ky fenomen ku 53% e tyre e konsiderojnë sfidë.
Një tjetër problem i theksuar nga të dhënat është situata ekonomike në përgjithësi, që është renditur si një shqetësim kryesor nga 45% e qytetarëve të rajonit. Në Shqipëri, 57% e të anketuarve e shohin gjendjen ekonomike të vendit si sfidën më të rëndësishme.
Papunësia mbetet një tjetër problem i madh në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë veçanërisht Shqipërinë dhe Malin e Zi, ku 40% e qytetarëve të Shqipërisë dhe 33% e qytetarëve të Malit të Zi e rendisin këtë si një nga tre shqetësimet kryesore. Kjo përqindje tejkalon edhe mesataren e Ballkanit që është 27%.
Përveç çështjeve ekonomike, siguria dhe paqëndrueshmëria politike janë dy faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve. Në nivel rajonal, 27% e qytetarëve janë të shqetësuar për paqëndrueshmërinë politike. Shqipëria, megjithatë, duket se ka një nivel relativisht më të ulët të shqetësimit për këtë çështje, me vetëm 15% të popullsisë që e shohin si problem, në krahasim me vendet si Kosova (21%) apo Bosnja dhe Hercegovina (43%), ku stabiliteti politik duket se përbën një shqetësim më të madh.
E ndërsa inflacioni dhe papunësia janë problemet kryesore, disa aspekte të tjera që ndikojnë cilësinë e jetesës përfshijnë cilësinë e arsimit dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor. Në vendin tonë , vetëm 4% e të anketuarve rendisin arsimin si një problem kryesor, ndërkohë që 11% shprehin shqetësime për cilësinë e kujdesit shëndetësor. Këto përqindje janë më të ulëta krahasuar me vendet e tjera të rajonit./Tema