Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka dënuar me burg përjetë 58-vjeçarin Sofokli Shani, që vrau me armë zjarri Irakli Qorrin dhe plagosi djalin e tij, ngjarje e ndodhur më 4 qershor 2021 në një lokal në fshatin Fier i Ri.
Një konflikt i çastit i nisur në një lokal përfundoi me vrasjen e një 62-vjeçari dhe plagosjen e djalit të tij.
Rako Qorri dhe djali i tij, Kejdi Qorri, 31 vjeç u qëlluan me breshëri kallashnikovi në ambientet e lokalit që kishin në pronësi.
Nga të shtënat humbi jetën në vend 62-vjeçari, ndërsa u transportua në gjendje të rëndë për jetën drejt spitalit djali i tij.
Si autor të dyshuar policia arrestoi 58-vjeçarin, Sofokli Shani nga fshati Krutje e Sipërme, ndërsa sekuestroi dhe armën e zjarrit me të cilën mendohet se ai kreu krimin.
Mësohet se viktima së bashku me djalin e tij patën një debat me 57-vjeçarin në ambientet e lokalit te tyre.
Autori kishte kërkuar të pinte alkool, gjë e cila ishte refuzuar viktima, pronar i lokalit Rako (Irakli) Qorri.
Më pas mes tyre ka nisur sherri, teksa Sofokli Shani e ka goditur pronarin e lokalin. Në ndihmë kanë mbërritur djemtë e Rako Qorrit të cilët kanë dhunuar Sofokli Sahnin.
Ky i fundit ka shkuar ne shtëpi, ka marrë armën, është kthyer në lokal dhe ka qëlluar drejt Rako Qorrit dhe djemve të tij.
VENDIMI I GJYKATËS
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Më datë 02.06.2021 rreth orës 20:30, salla operative e Komisariatit të Policisë Lushnjë është njoftuar së në fshatin “Fier i Ri, Njësia Administrative Krutje, ka pasur të shtëna me armë zjarri, si pasojë e një konflikti momental me pronarin e lokalit, shtetasi me iniciale Sofokli Shani ka qëlluar me armë zjarri ku ka mbetur i vrarë në vend shtetasi me iniciale R.Q (pronari i lokalit) si dhe ka mbetur i plagosur djali i tij shtetasi me iniciale K.Q.
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale Sofokli Shani, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje në Rrethana të tjera cilësuese” si dhe “ Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 79/dh dhe 278/1/3 të Kodit Penal.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë me vendimin nr. 399 (2380), datë 16.12.2022 ka vendosur:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit S.Sh, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
2. Deklarimin fajtor për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodi Penal dhe dënimin me 6 (gjashtë) vjet burgim.
3. Deklarimin fajtor për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/3 të Kodi Penal dhe dënimin me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
4. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri Sofokli Shani dënohet me burgim të përjetshëm.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale Sofokli Shani, i cili kërkoi:
– Ndryshimin e vendimit në raport me kualifikimin e veprës penale, duke kryer cilësimin juridik në atë të parashikuar në nenet 76, 278 dhe 91 të K.Penal.
– Revokimin e vendimit për mospranimin e gjykimit të shkurtuar duke aplikuar nenin 403 të K.Pr.Penale, duke zbritur një të tretën e masës së dënimit, në bazë të dënimit që do të caktohet nga gjykata.
Në përfundim të gjykimit, më datë 30.05.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Valbon Çekrezi dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe z. Fatri Islamaj, vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit penal nr. 399/2380, datë 16.12.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë për sa i përket:
– Deklarimit fajtor të të pandehurit Sofokli Shani për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni
79/dh i Kodit Penal.
– Deklarimit fajtor të të pandehurit S.Sh dhe masës së dënimit të dhënë për veprën penale të parashikuar nga neni 278/1 te Kodit Penal;
– Deklarimit fajtor të të pandehurit Sofokli Shani për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal;
-Disponimit mbi provat materiale, vuajtjes së dënimit dhe disponimet për shpenzimet procedurale.
-Ndryshimin e vendimit penal nr. 399/2380, date 16.12.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë në pjesën tjetër si me poshtë:
-Dënimin e të pandehurit S.Sh në bazë të nenit 79/dh te Kodit Penal me 30 (tridhjete) vjet burgim.
-Në zbatim të nenit 55 te Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin përfundimisht të të pandehurit Sofokli Shani me 33 (tridhjete e tre) vjet burgim.