Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka thënë se Serbia duhet ta pranojë që Kosova është e pavarur. Ai ka komentuar situatën në veri të Kosovës ndërsa tha se duhet ndaluar së përsërituri se “Kosova është Serbi”.

 

“Jo Kosova nuk është Serbi, kjo është punë e kryer”, ka deklaruar ai.

 

Ai ka thënë se fatkeqësisht disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.

 

“Serbia duhet të kuptojë dhe të pranojë se Kosova është e pavarur. Fatkeqësisht, kjo nuk është pranuar nga disa anëtarë të tjerë të Bashkimit Evropian”, ka thënë ai,

 

Ai ka deklaruar se në samitin e NATO-s vitin e kaluar, ai u ka bërë thirrje vendeve evropiane të cilat nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë.

 

“Por kjo është si të flasësh me një mur. Disa vende nuk e kanë njohur sepse kanë frikë nga precedentë që përfundimisht, në një moment krize, mund të zbatohen në vendet e tyre dhe t’u merret diçka”, ka thënë ai.