Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele tha se janë sekuestruar 1.2 ton kokainë.

 

Bukele në llogarinë e tij në Twitter njoftoi se janë arrestuar 3 persona me kombësi kolumbiane. "Fotografitë e 3 kolumbianëve të ndaluar kanë mbërritur në marinën tonë. Sasia e kokainës së sekuestruar arrin në 1.2 ton", tha ai.

 

Duke ndarë koordinatat e detit ku u kap kokaina, Bukele në postimin e tij etiketoi edhe emrin e homologut të tij, presidentit kolumbian Gustavo Petro.

 

Presidenti kolumbian, Gustavo Petro, në llogarinë e tij në Twitter, pa përmendur emrin e Bukeles, tha se kokaina u kap falë bashkëpunimit të marinës kolumbiane. "Një ton e gjysmë kokainë u kapën në afërsi të El Salvadorit, falë inteligjencës dhe ndihmës së marinës", tha ai.

 

Duel verbal mes dy liderëve

 

Dy liderët, të cilët etiketuan njëri-tjetrin në llogaritë e tyre personale në rrjetet sociale, fajësuan gjithashtu njëri-tjetrin për burgun në El Salvador, i cili përshkruhet si "mega burgu" i Amerikës.

 

Duke folur në një universitet në kryeqytetin e Kolumbisë, Bogota, më 2 mars, Petro tha: "Në pamjet në rrjetet sociale mund të shihni se kampi i përqendrimit në El Salvador është plot me të rinj. Mijëra prej tyre janë në burg. Është e trishtueshme".

 

Presidenti i El Salvadorit, Bukele më 10 mars tha se presidenti kolumbian Petro ishte "i fiksuar pas El Salvadorit"./AA