Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi se ndërkombëtarët janë duke i keqkuptuar institucionet e Kosovës në lidhje me situatën në veri të vendit. Ai e vlerësoi negative faktin që Kosova është pezulluar nga stërvitjet ushtarake “Defender Europe ‘23”, ndërsa edhe deklaratat e sekretarit amerikan Antoni Blinken i cilësoi “të këqija” për Kosovën. Ai tha se duhet të gjendet një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.
Në konferencën pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, tha se janë të brengosur me situatën në tri komunat veriore, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan ku protestues serbë duan që kryetarët e zgjedhur më 23 prill të mos shkojnë në objekte komunale dhe të tërhiqet Policia e Kosovës.
Konjufca deklaroi se atje problemi po fillon edhe po përfundon me grupet e armatosura të rrezikshme të cilat po sfidojnë shtetin dhe sulmojnë zyrtarë policorë.
“Kryefjala e krejt procesit është aftësia jonë, kapaciteti ynë për të kryer detyrat tona shtetërore, edhe policia, edhe institucionet e sigurisë, ashtu që të garantojnë siguri dhe qetësi në atë pjesë të vendit, siç po shihet atje problemi po fillon edhe po përfundon me grupet e armatosura të rrezikshme, të paligjshme, të cilat e sfidojnë shtetin dhe sulmojnë zyrtarë policorë, zyrtarët tanë shtetërorë, nuk ua mundësojnë atyre kryerjen e punëve e cilët e kanë me kushtetutë, prandaj mendoj se është ai obligim ynë, fokusi ynë”, deklaroi Konjufca.
Në lidhje me deklaratat e sekretarit amerikan Antony Blinken se nëse nuk merren masa, raportet mes Kosovës dhe SHBA do të lëkunden, Konjufca tha se kjo është një gjë e keqe për Kosovën.
“Kjo nuk është e mirë për ne, ne e pranojmë që është një gjë e keqe për Republikën e Kosovës, gjithçka që duhet të bëjmë mendoj unë ta bëjmë një dialog të hapur e të shtruar me të gjithë miqtë dhe partnerët tanë që t’i argumentojmë më mirë pozicionet tona, ndoshta pozicionet tona nuk po kuptohen drejt prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Konjufca.
Kreu i Kuvendit u shpreh se janë të keqkuptuar nga kjo situatë pasi po respektojnë vetëm ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, ndërsa shtoi se duhen më shumë takime me ndërkombëtarët për të sqaruar pozicionet.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka ndjekur këtë rrugë duke dëgjuar porositë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilët i kanë njohur zgjedhjet e 23 prillit.
“Ajo që konstatoj në këtë situatë është se jemi të keqkuptuar, jemi duke u keqkuptuar… Për t’u mirëkuptuar duhet natyrisht takime edhe më intensive, takime më të thella se Qeveria po shkon në atë rrugë për arsye se qashtu i ka lexuar porositë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës… kur nuk morën pjesë në zgjedhje Lista Serbe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kam dëgjuar duke thënë se këto zgjedhje duhen anuluar, nuk e kam dëgjuar duke thënë, d.m.th. tash qysh e kupton politikan këtë çështje ose një zyrtar publik, kur thonë që SHBA nuk duhet të anulojnë zgjedhje i bie që kemi drejtë me marr pjesë, tash kur keni drejtë me marr pjesë ligjet e Kosovës nuk shohin prag sa duhet me marr pjesë”, tha Konjufca.
Konjufca deklaroi se tashmë ndërkombëtarët nuk kanë vija të kuqe për Serbinë dhe se e quajnë provokim atë që e quan Serbisë.
“Kësaj radhe nuk po shoh kurrfarë dallimi të gjithë janë të një goje që Serbia e përcakton statusin e asaj çfarë është provokim dhe ndërkombëtarët pajtohen të gjithë me atë gjë, por Serbia e definon provokimin, pra të shkojnë kryetarët e komunave në punë është provokim dhe bashkësia ndërkombëtare thotë pajtohet dhe thotë nuk bën ky provokim… Këta nuk e kemi parë kurrë, e kemi pa që bashkësinë ndërkombëtare që ia tregon disa vija të kuqe Serbisë, unë s’po shoh që bashkësia ndërkombëtare ka vija të kuqe për Serbinë por ka qysh e definon Serbia provokimin, ajo është provokim, Serbia e çon ushtrinë, është rrezik, Kosova duhet të zmbrapset, kështu është situata”, tha kreu i Kuvendit.
Në fund, Konjufca tha se organet e rendit duhet të bëjnë gjithë çfarë kanë në dorë për të mbrojtur gazetarët të cilët po provokohen e sulmohen në komunat veriore nga protestues të dhunshëm.
“Policia duhet të bëjë të gjitha për të mbrojtur të gjithë gazetarët, e dënoj dhunën ndaj tyre që e kemi parë që është e paprecedentë këtyre viteve të fundit sidomos në këto ngjarje që ishin të fokusuara këto tri ditë që i pamë. Bëj thirrje Policisë së Kosovës që të mbroje jetën e gazetarëve dhe sigurinë që të bëjnë punën e tyre të lirë…. Organet e rendit dhe të sigurisë duhet që të bëjnë maksimumin që kurrkush të mos arrijë të cenoje jetën e gazetarit dhe të ndal me dhunë punën e tij që garantohet me kushtetutë”, tha Konjufca.
Sot (e mërkurë) numër më i madh i protestuesve sesa dje janë tubuar afër ndërtesës së Komunës në Zveçan.
Mediat janë duke u penguar vazhdimisht nga grupe të caktuara në protestë ndërsa edhe automjetet e disa mediave janë thyer dhe u janë shpuar gomat, raporton KosovaPress.
Ndryshe nga ditët e tjera, përfaqësues të Listës Serbe nuk vërehen deri më tani në mesin e protestuesve.
KosovaPress ka raportuar më herët se edhe në Zubin Potok sot (e mërkurë) ka numër më të madh të protestuesve që kanë dalë për të kundërshtuar, sipas tyre, kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.
Ndryshe, serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.
Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.
Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët. /KosovaPress/