Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet urgjentisht.

 

 

Ai ka takuar kryeministrin Albin Kurti, në margjinat e forumit që po mbahet në Bratisllavë.

 

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së ka thënë se situata aktuale është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme.

 

 

“Takova kryeministrin Albin Kurti, në Bratisllavë, për të diskutuar tensionet në veri të Kosovës. Situata aktuale është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme. Kemi nevojë për depërshkallëzim urgjent dhe zgjidhje përmes dialogut për t’iu rikthyer punës sonë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur”, ka shkruar Borrell, i cili në takim ishte i shoqëruar edhe nga emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

 

Kryeministri Kurti tha se për të ishte me rëndësi t’i takonte diplomatët e lartë sepse, sipas tij duhet të ketë qartësi lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë të shkaktuara nga Serbia.

 

“Takimi ishte i rëndësishëm. Ne duhet ta kemi zbatimin (e marrëveshjes Kosovë- Serbi), në rrugë të drejtë dhe mendoj se kemi pasur nganjëherë stagnim dhe nganjëherë largim nga rruga”, tha Kurti duke shtuar se “nuk kemi zgjidhje jo sepse nuk kemi marrëveshje, por sepse nuk kemi zbatim të marrëveshjes”, tha Kurti.

 

Burime të Bashkimit Evropian e përmendën të martën Bratisllavën si vendtakim të mundshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe thanë se janë duke punuar në këtë drejtim.

 

Të dy liderët ishin të ftuar në Forumin e Sigurisë që po mbahet në Bratisllavë. Nga Qeveria e Kurtit thanë fillimisht se kryeministri e ka shtyrë pjesëmarrjen, për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës.

 

Vuçiç, megjithatë, tha se nuk do të shkojë në Bratisllavë, sepse, siç u shpreh, “është më e rëndësishme të jem me popullin tim”.