Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vizitoi sot qendrën shëndetësore Muçaj të Vorës, e sapopërfunduar, me standardet më të mira.

 

“Edhe në këtë pikë ambulance, ashtu sikurse në çdo qendër shëndetësore po ofrohet programi i ri për fishat e diabetit, ku deri më tani kanë përfituar më shumë se 47 mijë qytetarë të grupmoshës +65 vjeç. Prej muajit mars, fishat e diabetit janë falas për këtë grupmoshë, ashtu sikurse edhe për fëmijët dhe të rinjtë deri në moshën 25 vjeç”, tha Manastirliu.

 

Duke folur për investimet në qendrat e kujdesit parësor, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se do të vijojnë investimet në qendrat shëndetësore dhe ambulancat në të gjithë territorin e vendit.

 

“Deri më tani kemi investuar në rehabilitimin dhe ndërtimin e 340 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në të gjithë vendin. Ndërkohë që këtë vit ne kemi projektuar që të fillojmë rehabilitimin e 40 qendrave shëndetësore dhe ambulancave. Në qarkun e Tiranës që ne do të fillojmë investimin në disa qendra shëndetësore dhe ambulanca që i përkasin zonave të Farkës, Kamzës, Vaqarrit, Kavajës, Rrogozhinës dhe sigurisht që do të vijojmë derisa të kemi në standard optimal të gjitha qendrat shëndetësore dhe ambulancat në të gjithë vendin. Për ne nuk ka rëndësi se ku ofrohet shërbimi, në qytet apo në fshat, për ne e rëndësishme është që qytetarët, kudo ku ata jetojnë, të kenë një standard të njëjtë të shërbimit”, tha Manastirliu.

 

I pranishëm në qendrën shëndetësore Muçaj të Vorës ishte edhe kryetari i bashkisë Vorë, Blerim Shera, i cili vlerësoi investimin për këtë komunitet.

 

“Gjej rastin të falënderoj ministren dhe qeverinë Rama për gjithë mbështetjen për çfarë është bërë deri tani për shëndetësinë në territorin e Bashkisë Vorës. Kemi një shërbim me cilësor dhe një infrastrukturë shumë më të mirë, që për hir të së vërtetës, prej vitesh nuk ishte vënë dorë”, tha Shera.

 

Gjatë takimit me banorët e zonës, Manastirliu foli për rimbursimin e fishave të diabetit për pensionistët.

 

Në investimet e këtij viti, vetëm për qarkun e Tiranës është parashikuar rikonstruksioni i 9 qendrave shëndetësore në Farkë, Kamzë, Paskuqan, Vaqarr, Bathore, Kavajë, Rrogozhinë.

 

Që prej nisjes së programit të rehabilitimit të qendrave shëndetësore, janë rehabilituar 340 qendra dhe ambulanca në të gjithë vendin, me mbi 1.2 milion qytetarë përfitues.