Në shenjë mbështetjeje për serbët në Kosovë, disa qindra qytetarë u mblodhën mbrëmjen e së mërkurës para një kishe në Podgoricë.

 

Në tubim nuk pati fjalime, ndërsa pjesëmarrësit brohorisnin “Kosova është zemra e Serbisë” dhe mesazhe të tjera.

 

Ata kishin veshur bluza me mesazhet “Vëllai për vëllain, nuk ka dorëzim”, “Kosova është Serbi”, “Mali i Zi – Rusi”, si dhe me imazhin e presidentit rus, Vladimir Putin.

 

Ftesa për tubim është shpërndarë në rrjetet sociale dhe thuhet se është organizuar nga një grup qytetarësh.

 

Pjesëmarrës ishin edhe disa deputetë të partive më të vogla pro-serbe, si Bogdan Bozhoviq nga Partia Popullore Socialiste dhe Marko Millaçiq nga Mali i Zi i Vërtetë, si dhe bartësi i listës zgjedhore të Koalicionit Popullor, Dejan Vukshiq.

 

Kujtojmë që prej disa ditësh në komunat veriore po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill. Gjendja ka agravuar kur protestuesit kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

 

Ata kanë hedhur sende të ndryshme në drejtim të forcave policore, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

 

Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

 

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit./REL