“Qeveria shqiptare i ka dhënë dritën jeshile ujësjellësit që do të lidhë Gjirokastrën, me Galugnano, në Salento”, kështu deklarojnë mediat italiane në lidhje me ndërtimin e një linje ujësjellësi që do të furnizojë me ujë rajonin e Pulias nga Shqipëria.

 

“Qeveria shqiptare na ka autorizuar të fillojmë planifikimin e ujësjellësit që do të lidhë Shqipërinë me Italinë . Shqipëria hedh një sasi të madhe uji të mirë në det dhe padyshim ka interes të paguhet për ujin. Ne kemi interes ta marrim sepse për ne uji do të thotë t’i japim një model të ri bujqësisë, të bëjmë turizmin të rritet dhe t’u japim një të ardhme të gjithë pulianëve”, deklaroi presidenti i rajonit të Pulias, Michele Emiliano, gjatë një konference për shtyp në Bari për investimet në sistemin e ujit.

 

Punimet dhe kostot

 

- Advertisement -

 

Për të ndërtuar infrastrukturën do të duheshin 4 vite punë dhe do të kërkonte një financim 1 miliard euro që do të sigurohej nga burimet e BERZH-it, shteti italian, rajonit dhe ujësjellësit të Pulias. Qëllimi është që çdo vit të transportohen 150 milionë metër kub. Për Pulian është një infrastrukturë strategjike, duke pasur parasysh thatësirën që ka karakterizuar vitet e fundit. Por edhe Shqipëria do të kishte një kthim ekonomik, duke qenë se do të krijoheshin rreth 8000 vende të reja pune direkte dhe indirekte.

 

Propozimi i Konfindustrisë

 

Propozimi u lançua në vitin 2022 nga presidenti i Confindustria në Puglia, Sergio Fontana. “Këtu në Pulia, ne kemi aftësitë për të qenë një pikë referimi kombëtare për politikën e ujit. Kemi Ujësjellësin Pulian, më të madhin në Evropë, stacionin e parë kontraktues në Pulia. Buzë detit Adriatik kemi përballë Shqipërinë, një vend shumë i pasur me ujë. Ne kemi marrëdhënie të jashtëzakonshme të ngushta me Shqipërinë. Ne kemi një mundësi të madhe për të trajtuar krizën e ujit, në mënyrë proaktive. Ne mund t’i japim jetë një projekti të madh dhe ambicioz: të ndërtojmë një infrastrukturë mbresëlënëse ujore në detin Adriatik midis Pulias dhe Shqipërisë”, tha Fontana, gjatë takimit vjetor të Confindustria Bari-Bat./corriere.it