Të ardhurat bruto në buxhetin e shtetit nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar po rriten në mënyrë progresive. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se në 4 mujor, tatimet dhe doganat kanë mbledhur 71.6 miliardë lekë, me rritje prej 11.3 për qind në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa vetëm për muajin prill realizimi i të ardhurave nga TVSH bruto regjistron një rritje prej 19.5 % krahasimisht me Prill 2023.

Ajo që vihet re është se të ardhurat e mbledhura nga administrata tatimore, pra që tregojnë konsumin në vend kanë pasur rritjen me të madhe, me afro 23.2 për qind në 4-mujor dhe 40 për qind në muajin Prill. E shprehur në vlerë, janë 24.2 miliardë lekë të arkëtuara për Janar-Prill, me një kapërcim prej 4.6 miliardë lekësh, një shifër kjo e cila përkthehet direkt në konsum të shtuar përgjatë kësaj kohe.

Ky konsum vjen si pasojë e uljes së çmimeve gjatë këtij viti krahasuar më vitin 2023, kur inflacioni ishte ende në nivele të larta, gjë që i ka shtyrë qytetarët të rrisin konsumin. Ky konsum është i lidhur edhe më rritjen e pagave në administratë por edhe në sektorin privat, gjë që i ka dhënë më shumë mundësi qytetarëve për të shpenzuar.

Nga ana tjetër pavarësisht bumit turistik të regjistruar vitin e kaluar, 2024 ka nisur edhe më mbarë, duke kontribuuar kështu në konsumin e përgjithshëm në vend.  Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë kësaj periudhë numri i turistëve të huaj që kanë vizituar vendin tonë është regjistruar në 2.3 milion, apo 38.2 për qind më shumë se viti 2023.

Nga ana tjetër, pavarësisht zhvlerësimit të euros, edhe të ardhurat e TVSH-së nga doganat kanë shënuar rritje në 4-mujor me 6.1 për qind, për shkak të rritjes së volumit të importeve, duke u regjistruar në 47,4 miliardë lekë.

Përgjatë kësaj periudhe është rritur ndjeshëm edhe masa e rimbursimit të bizneseve nga qeveria,  shifër e cila regjistrohet në afro 4.5 miliardë lekë, por pavarësisht kësaj TVSH neto rezulton sërish në trend pozitiv dhe në një rritje prej 10.8 për qind në raport me 2023. Konkretisht në janar-prill 2024, TVSH-ja e arkëtuar neto arrin në 67 miliardë lekë nga 60 miliardë që ishte në 4-mujorin 2023./Tema