Protesta e qytetarëve serbë në Zveçan vazhdon edhe sot, ndërsa KFOR-i, përveç para ndërtesës komunale, ka dislokuar ushtarët e tij edhe në pesë lokacione të tjera në qytet.

 

Sot ka shumë më pak qytetarë në rrugë. Ata vendosën çadra dhe ulëse jo larg telave me gjemba dhe kordonit të KFOR-it, i cili shtrihet përreth ndërtesës komunale.

 

Sipas kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiç, i cili foli për media, KFOR-i iu përgjigj dje kërkesës së tij për të shtuar praninë e ushtarëve në disa lokacione për të parandaluar përshkallëzimin e mundshëm të situatës.

 

“Pas bisedës së djeshme me komandantin e përgjithshëm të kësaj pjese këtu, kolonelin amerikan të KFOR-it, kemi marrë garanci dhe shohim se sot e kanë përmbushur premtimin. Ata kanë dislokuar forcat e tyre në pesë pika këtu në rrugicat përreth dhe në qendër, në hyrje, për të penguar hyrjen e njësive speciale të policisë për të parandaluar incidentet e mundshme”, tha Rakiç.

 

Ai falënderoi kolonelin për mirëkuptimin dhe ftoi qytetarët që të flasin me ushtarët nëse kanë nevojë për ndihmë.

 

Rakiç deklaroi se sot protestës i janë bashkuar minatorët e Trepçës, të cilët nuk kanë mundur të punojnë që nga e premtja.

 

Dje, gjatë një proteste kryesisht paqësore të qytetarëve serbë në komunat Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok në veri të Kosovës, disa të dyshuar kanë gjuajtur me gurë tri vetura të Policisë së Kosovës, duke plagosur një polic dhe duke shkaktuar dëme materiale në tri vetura policore. Gjithashtu, disa media janë penguar dhe sulmuar, si dhe automjetet e tyre janë vandalizuar nga individë ose grupe kriminale.

 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se të hënën (29 maj) janë regjistruar mbi 20 sulme ndaj ekipeve mediatike.

 

Nga protesta u kërkua që forcat speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga ndërtesat komunale dhe kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit të mos vijnë në objektet komunale. Është kërkuar edhe lirimi i dy të rinjve serbë të arrestuar të hënën në Zveçan pas përleshjes mes demonstruesve dhe ushtarëve të KFOR-it, të cilëve Gjykata Themelore në Prishtinë dje u ka shqiptuar një muaj paraburgim.

 

Përleshjet fillimisht kanë ndodhur të premten kur njësitet speciale të Policisë së Kosovës asistuan hyrjen e kryetarëve të rinj në ndërtesën e komunës në Zveçan. Më pas, të hënën, demonstruesit u përleshën me trupat e KFOR-it, kur u plagosën 30 ushtarë ndërkombëtarë dhe dhjetëra demonstrues.

 

Qytetarët serbë që nga e hëna kanë protestuar çdo ditë nëpër komunat në veri të Kosovës.

 

Lista Serbe në fillim të muajit nëntor ka braktisur të gjitha institucionet e Kosovës në veri të Kosovës për shkak të vendimit për riregjistrimin e detyrueshëm të automjeteve nga targat serbe në RKS dhe si rrjedhojë u shpallën zgjedhjet e jashtëzakonshme. Komuniteti serb i bojkotoi këto zgjedhje, kështu që pjesëmarrja e votuesve ishte më pak se katër për qind, ku për kryetarë komunash u zgjodhën kandidatët shqiptarë.

 

Të shpërfillen thirrje për protesta në jug të Mitrovicës

 

Policia e Kosovën apelon te qytetarët shqiptarë të shpërfillin thirrjet për pjesëmarrje në protestë. Nga atje kanë bërë të ditur se nëpër rrjete të ndryshme sociale nga persona dhe profile të ndryshme kanë qarkulluar postime me thirrje ndaj qytetarëve shqiptarë për "pjesëmarrje në gjoja protestë masovike në jug të Mitrovicës, me synim kinse për marshim në veri të vendit".

 

"Pas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija, në dëm të vetë qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës", theksoi policia, duke bërë thirrje për qetësi dhe të mos bien pre e asnjë "gjoja organizimi nga persona të panjohur", por të lënë institucionet e sigurisë të trajtojnë situatën me profesionalizëm.

Më tej, policia garantoi se institucionet e Kosovës në përgjithësi, në veçanti Policia e Kosovës, janë "plotësisht të aftë dhe të përkushtuar" për të garantuar siguri, rend dhe qetësi për të gjithë qytetarët pa dallim.