Nga sot nis zbatimin tatimi i ri mbi të ardhurat nga punësimi.
Ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, të cilat u miratuan në Kuvend më 30 mars të këtij viti, parashikonin hyrjen në fuqi të sistemit të ri të taksimit për të ardhurat nga punësimi më 1 qershor.
Këto ndryshime sjellin lehtësimin e barrës tatimore për të punësuarit me paga deri në 60 mijë lekë.
Nëpërmjet ndryshimeve në ligj, rritet pragu i të ardhurave të patatueshme për individët nga 40 mijë lekë që ishte deri sot në 50 mijë lekë.
Janë 65 mijë individë të cilët përfitojnë nga kjo lehtësi, të cilët do të paguajnë 15.700 lekë më pak taksa në vit.
Barra fiskale lehtësohet edhe për të gjithë tatimpaguesit me të ardhura nga punësimi në fashën 50-60 mijë lekë, të cilëve nga 30 mijë lekë që ishte e ardhura e tatueshme me 0%, tashmë u njihet një zbritje tatimore prej 35 mijë lekësh në muaj, duke lehtësuar barrën tatimore për 44 mijë individë me 7,800 lekë në vit.
Për individët me paga mbi 60 mijë lekë nuk do të ketë ndryshime në taksim, pasi formula do të qëndroje e njëjtë, zero tatim deri në kufirin 30 mijë lekë, 13 % shumës mbi 30 mijë lekë deri në 200 mijë lekë, dhe 23 për qind për pagat mbi 200 mijë lekë./ATSH