1 183 vende të lira pune u prezantuan në Panairin e Administratës Publike, që u çel sot në Tiranë, ku pozicionet më të kërkuara janë për juristë dhe inxhinierë.

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirderni, vuri theksin tek puna që do bëhet për motivimin e punonjësve.

“Synimi ynë është që jo vetëm të forcojmë kapacitet e burimeve njerëzore, por mbi të gjitha të bëhemi punëdhënës tërheqës për të gjithë bashkë”, tha Pirderni, teksa nënvizoi domosdoshmërinë e vlerësimit për ato që punojnë në administratë.

Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, Enkela Dudushi, u shpreh se, “të gjitha institucionet, ministritë kanë nevoja për rekrutim, me profile nga të gjitha fakultetet, edhe jurist ka shumë, edhe inxhinierë, sidomos elektronikë, ndërtimi, të mjedisit, gjeologë, pra vendet janë të larmishme”.

Ndërkohë për të rinjtë që kanë minimalisht një diplomë Bachelor, së shpejti pritet të hapen edhe aplikimet për praktikë pune në shtet.

Nigda Dako, përgjegjëse e aktiviteteve në Agjencinë Kombëtare të Punës, tha se “ky është një program që bëhet për të 9 vit dhe këtë vit do të ketë dhe një kompensim financiar dhe pas këtij 3 mujori ata të cilët kanë fituar mund të fillojnë punë në administratë për një vit”.

Për të gjithë qytetarët e interesuari për vendet e lira të punës, projektet dhe shërbimet që ofrojnë administrate publike, panairi do të qëndrojë i hapur deri më 29 maj./ata