Sali Berisha i cilëson takimet e Lulzim Bashës, si veprimet e një pengu të Edi Ramës, të cilin ai e keqpërdor në mënyrë të pamëshirshme.

 

‘Në fakt i shoh si veprimet e një pengu të Edi Ramës, të cilin e keqpërdor në mënyrë të pamëshirshme. Ai le të vazhdojë në atë orbitë si një peng i Edi Ramës.'- tha Berisha.

Sali Berisha gjatë konferencës së tij të përjavshme për mediat, ka vijuar sërish akuzat ndaj qeverisë për humbjet në zgjedhjet lokale të 14 majit, të cilat i cilëson si një farsë elektorale.

 

‘Më parë u kam njohur ju dhe kam denoncuar publikisht mbi gjysmë milionë zgjedhës shëtitës fantazmë, të cilët po i veçojmë rreth pas rrethi.

 

Mund t’u them se, ju informoj se në rrethin e Tiranës, në Bashkinë e Tiranës, me një total prej 697 mijë votuesish, 102 mijë prej tyre janë votues shëtitës apo 15 përqind e votuesve të Tiranës.

 

Pra, Tirana ka 1 të pestën e votuesve shëtitës, votues të cilët potencialisht kanë votuar më shumë se njëherë, ose janë dënuar me mosvotim.

 

Ky hetim po vazhdon dhe do të vazhdojë rreth për rreth, qendër për qendër, ne do bëjmë publike të gjithë këtë mekanizëm gjigant, shtesë manipulative të farsës elektorale maj 2023.’- tha Berisha.