Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka qenë paraditen e sotme në Kashar, ku ka kryer testime në lidhje me votimin elektronik, i cili në zgjedhjet e “14 Majit” do të aplikohet në 3 bashki, Elbasan, Vorë  dhe Kamëz.

 

Në një dalje për mediat, Celibashi u shpreh se nesër do të bëhet testimi i pajisjeve të identifikimit elektronik dhe votimit elektronik.

 

“Nga pikëpamja formale jemi duke përmbushur një detyrim të korit zgjedhor, sot kemi radhën e pajisjeve të votimit dhe numërimi elektronik nesër do të bëhet testimi i paisjeve të identifikimit elektronik. Garancia e plotë që ofrojnë këto paisje në lidhje me fshehtësinë e votës. Nuk ka asnjë lloj mundësi mënyrë apo mekanizmi që dikush të verifikojë votën e dhënë nga një zgjedhës për një subjekt të caktuar”, tha Celibashi.

 

Ai rikonfirmoi se ky votim është i sigurtë dhe numërimi elektronik garanton 100% të fshehtësisë së votës.

 

“Kemi patur jo në mënyrë fare zyrtare, por disa shqetësime të tilla që janë përcjellë në komisionin e Zgjedhjeve në lidhje me fshehtësinë e votës, jam këtu për të konfirmuar se garancia është e plotë 100%. Kushdo që thotë të kundërtën është një spekulant politik. S’ka asnjëlloj mundësie as kompania as KQZ askush nuk ka mundësi që të verifikojë se për kë është votuar në mënyrë kategorike.

 

Ne synojmë që brenda 30 minutave nga momenti që mbyllet procesi i votimit të kemi shpalljen  rezultateve paraprake për Vorën, Kamzën dhe Elbasanin. Është një projekt pilot, por nga ajo që vlerësojmë besoj se të gjitha procedurat do të kërkojnë një kohë që nga momenti kur mbyllet procesi i votimi”, shtoi ai.