Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i propozoi Kuvendit të Kosovës mocion mosbesimi ndaj qeverisë Albin Kurti dhe rrëzimin e tij pas trazirave në veri.
“Ju propozoj të shkojmë në mocion të mosbesimit e të mos shkojmë në pabesi. Ju ftoj pa dallim partiak që ta shkarkojmë qeverinë Kurti”-tha Haradinaj në Kuvend.
Në seancën e Kuvendit, ku po diskutohet për veriun, Haradinaj u shpreh se Kosovës nga Kurti dhe qeveria e tij po i ndodh mosbesim deri në pabesi.
“Ajo që nuk po e flasim ne në Kosovë është ku po shkon Kosova nën udhëheqjen e kryeministrit Kurti. Pra po e devijojmë sot atë që po i ndodh Kosovës nga kryeministri Kurti, nga Qeveria Kurti…Unë po ju them mendimet e mia se çka po i ndodh Kosovës nga Kurti dhe qeveria e tij..Mosbesim deri në pabesi, pra mosbesim deri në pabesi, jo befasi, po mosbesim deri në pabesi”, tha Haradinaj duke shtuar se Kurti dikur udhëheqës i Vetëvendosjes ka ngjallur e krijuar mosbesim të brendshëm.
Haradinaj u shpreh se kryeministri Kurti në vazhdimësi e ka kultivuar një mosbesim me aleatët e Kosovës, veçanërisht siç tha ai, me ata të sigurisë dhe “në garantin tonë kryesor të sigurisë që është Amerika”.
“Në raste të caktuara edhe është ekspozu me fjalorin e tij që i ka ngjasuar Lavrovit apo shokëve të tij. Kjo i ndodhi edhe tash së fundi. Ky mosbesim i tij deri në pabesi sot po ndodh si kryeministër, si qeveri e një vendi dhe rezultat i këtij mosbesimi të mbjellur nga ky deri në pabesi po ndodhin ndëshkimet nga aleatët tonë për Kosovën, ndëshkim direkt për shkak të pabesive të kryeministrit të një vendi, i cili është ndihmuar me iu çliru dhe janë garant ende të sigurisë sonë.”, shtoi ai.
I pari i AAK-së tha se Kurti dikur ka mbjellë dhe ka nxitur poshtërim, siç tha ai, të të gjitha figurave dhe vlerave të krijuara me mund. Ai tha se vazhdimi i armiqësimit të Kurtit deri në armiqësi po i sjell Kosovës pasoja të brendshme e të jashtme.
“Vazhdimi i poshtërimit të tij deri në armiqësi, mos harroni, deri në armiqësi po i sjell Kosovës pasoja të brendshme e të jashtme. Kryeministri Kurti sot është sinonim i poshtërimit deri në pabesi. Ka poshtërue aparatin shtetëror, ka poshtrue popullin e tij, po vazhdojn mi poshtru të gjithë…E kemi edhe një element mashtrimin por deri në tradhti. Ka elemente të tradhtisë mashtrimi i Kurtit.”, u shpreh ai, duke shtuar se kryemimistri Kurti po vazhdon me të provojë të mashtrojë edhe aleatët e sigurisë, garantët e sigurisë.