Gjithnjë e më shumë të rinj në SHBA thonë se i konsiderojnë sulmet izraelite në Gaza "krim të gjenocidit" dhe i bëjnë thirrje administratës së Bidenit të mbështesë një "armëpushim" në Gaza.

Sipas një sondazhi të publikuar javën e kaluar nga revista britanike "The Economist" dhe kompania kërkimore "YouGov" tregoi se më shumë se një e treta e amerikanëve besojnë se Izraeli po kryen gjenocid kundër palestinezëve.

Në këtë hulumtim shihet se të rinjtë e moshës 18 deri në 29-vjeç kanë një bindje më të lartë se "është kryer gjenocid" në krahasim me grupmoshat e tjera. Pas këtij sondazhi, gazetari i Anadolu-s ka biseduar me të rinjtë që studiojnë në Universitetin Amerikan në Washington dhe ka kërkuar mendimin e tyre për këtë temë.

Ara Roslop (21) tregon se ai tashmë ka qëndruar në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe se ka shumë miq, familjet e të cilëve jetojnë në Gaza. I pyetur nga gazetari i AA-së nëse ai mendon se ajo që po ndodh në Gaza është gjenocid, Roslop u përgjigj: "Po, unë mendoj kështu. Ose të paktën është spastrim etnik, të paktën krime lufte".

Roslop i bëri thirrje administratës së Bidenit të mbështesë një armëpushim në Gaza, duke e quajtur atë që po ndodh në Gaza "çmenduri absolute".

Will Belluche, po ashtu 21-vjeç, tha se ngjarjet në Gaza i ka ndjekur nga mediat dhe rrjetet sociale.

Duke thënë se e kishte ndjekur nga afër rastin para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), Belluche tha: "Unë e kam ndjekur këtë rast dhe nuk jam ekspert i gjenocidit. Megjithatë, është shumë e frikshme të shohësh se qeveria e (Benyamin) Netanyahut në Izrael po përpiqet të largojë të gjithë palestinezët nga Gaza".

Duke theksuar se civilët dhe infrastruktura civile, përfshirë spitalet dhe universitetet, u vunë në shënjestër qëllimisht, Belluche shtoi: "Unë besoj se të gjithë duhet të jenë të lirë. Unë besoj se Palestina duhet të jetë e lirë. Unë besoj se njerëzit kanë të drejtë të jetojnë".

Studentja Sydney Packim vuri në dukje se ajo që po ndodh në Gaza ishte "shkatërruese" dhe shtoi: "Mendimi im është se ajo që po ndodh këtu është përpjekje për gjenocid kundër popullit palestinez. Diçka duhet bërë për këtë, sepse ajo që po ndodh nuk është e drejtë. Unë nuk mendoj se mund të vazhdojmë të mbështesim një vend që kryen gjenocid".

Michael Caron (20) tha se i ka ndjekur ngjarjet në Gaza në internet.

"Izraeli e ka rrethuar dhe pushtuar plotësisht Gazën. Edhe pse kjo ka ndodhur për më shumë se shtatë vjet, pas sulmeve të 7 tetorit ata bombarduan sistematikisht qytetet. Këto ngjarje përbëjnë gjenocid. Besoj se është kështu", tha Caron, duke deklaruar se ishte i zhgënjyer me politikën amerikane ndaj Gazës.

Sunita (18) tha se kohët e fundit është duke e hulumtuar këtë temë më në detaje dhe tha se beson se ajo që po ndodh në Gaza përbën gjenocid. "Unë mendoj se ajo që po ndodh është gjenocid. Njerëzit po vdesin, mijëra njerëz po vdesin. Ajo që po ndodh këtu është e tmerrshme", tha Sunita.

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat al-Qassam, nisi një sulm të gjithanshëm ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, bazuar në përgjigjen ndaj shkeljes së vazhdueshme të palestinezëve dhe vlerave të shenjta, veçanërisht xhamisë Al-Aksa.

Izraeli njoftoi se 1.200 izraelitë u vranë dhe 5.132 u plagosën në sulmet e 7 tetorit.

Sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori kanë lënë të vdekur 26.637 palestinezë, përfshirë të paktën 11.000 fëmijë dhe 7.500 gra dhe kanë plagosur 65.387 njerëz./aa