Partia Demokratike zyrtare mbledh të hënën  grupin parlamentar dhe të martën kryesinë e partisë, për të vendosur mbi drejtimin e kësaj partie pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeaj.

 

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, në një intervistë për Panorama TV, është shprehur se do jetë Kryesia që do vendosë nëse do jetë ajo apo jo kryetarja e ardhshme e PD-së.

 

“Në PD kam që 16-vjeçe. Nuk ka pasur pozicione zyrtare. Në shtator 2021 u bëra zv/kryetare ne një situatë të vështirë. Kemi marrë kohë bashkë me Bardhin për t’i dëgjuar të gjithë. Do ia lë kryesisë këtë vendim. Rendësi ka se si dalim nga kjo situatë, jo interesi i karriges sime apo dikujt tjetër”-tha Tabaku.

 

Ajo u pyet gjatë intervistës edhe për rikthimin e Lulzim Bashës në politikë pas 14 Majit, për të cilin tha:

 

“Basha bën mirë që po flet, duhet të kishte folur më parë. Besoj se kur kryesia të ketë një vendim, do shikojmë se çfarë do të bëjmë tani. Nuk mund të diskutoj për ambiciet e secilit, vetëm për ambiciet e mia, nuk i di planet e Bashës”.