Gjatë takimit të Nivelit të Lartë të Sesionit të 55-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u takua me homologun e tij, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Kazakistanit, Murat Nurtleu dhe me Thomas Greminger, drejtor i Qendrës së Gjenevës për Politikat e Sigurisë.
Të dy homologët diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare për kauzën e paqes dhe sigurisë, bëri të ditur MEPJ.
Me drejtorin Greminger bisedimet u fokusuan në rritjen e bashkëpunimit me Qendrën e Gjenevës për Politikat e Sigurisë në politikën e jashtme, sigurinë, klimën dhe mbrojtjen.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mbajti sot fjalën e tij gjatë takimit të Nivelit të Lartë të Sesionit të 55-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut (KDNJ).
Shqipëria merr pjesë në këtë takim të Nivelit të Lartë si vend anëtar i KDNJ-së për periudhën 2024-2026.
Është hera e dytë që, brenda një periudhe më pak se 10-vjeçare, Shqipëria bëhet pjesë e këtij organizmi të rëndësishëm të OKB-së që trajton çështje të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut./ata