Parkingu i parë për biçikleta në një kompleks modern të ndërtuar nën ujë në Amsterdam të Holandës pothuajse ka arritur maksimumin e tij në më pak se 4 muaj, gjë që konfirmon se Holanda me të drejtë shpesh quhet "vendi i biçikletave".

 

Parkingu i biçikletave me një kapacitet prej 7.000 vendesh, i cili ndodhet përballë stacionit hekurudhor të Amsterdamit, u hap në fund të janarit. Ndërtimi i kësaj ndërtese moderne zgjati 4 vjet. Parkingu menaxhohet nga administrata lokale. Dita e parë e parkimit është falas, ndërsa ditëve të tjera paguhet me një çmim prej 1,35 euro.

 

Kompleksi ka tri dalje, përfshirë lidhje direkte me stacionet e metrosë dhe trenit.

 

Pranë këtij parkingu, pas stacionit të trenit të Amsterdamit, ndodhet një tjetër parking me një kapacitet prej 4.000 biçikletash. Në këtë lokacion ka dy parkingje të tjera me kapacitet prej 1.550 dhe 1.300 biçikletash. Kështu, në afërsi të stacionit hekurudhor të Amsterdamit, ofrohet parkim për gjithsej 13.850 biçikleta.

 

Sipas të dhënave të administratës lokale dhe të kompanisë "Prorail", stacionin e trenit në Amsterdam e përdorin çdo ditë rreth 200 mijë njerëz dhe shumë prej tyre vijnë me biçikletë.

 

Vendi i biçikletave

 

Biçikletat janë pjesë e pazëvendësueshme e përditshmërisë në Holandë, të cilat përdoren nga të gjithë, që nga fëmijët e deri tek të moshuarit. Me 17 milionë banorë, Holanda njihet si “vendi i biçikletave” me 23 milionë biçikleta, ku mesatarisht i bie 1,3 biçikleta për frymë.

 

Holanda ka 37 mijë kilometra shtigje biçikletash, të cilat janë afër perimetrit të tokës. Në Holandë, mesatarisht, çdo person i bën 888 kilometra në vit me biçikletë.

 

Në qytetin holandez Utrecht ndodhet parkingu më i madh në botë për biçikleta me një kapacitet prej 12.500 vendesh dhe pikërisht ky qytet është shpallur qyteti më i favorshëm për përdoruesit e biçikletave.

 

Përdoruesit të kënaqur me pastërtinë e parkingut

 

Megjithëse vazhdimisht punohet për përmirësimin e infrastrukturës së destinuar për çiklistët, qeveria holandeze e ka të vështirë të qëndrojë në hap me kërkesat që dalin nga nevojat gjithnjë në rritje të çiklistëve, veçanërisht në qendrat e qyteteve të mëdha.

 

Banori i Amsterdamit, Andrey Averyanov (33), për Anadolu tha se nuk mund ta imagjinojë jetën pa biçikletë.

 

"Jeta në qytet është e pamundur pa biçikletë. Parkingu i mëparshëm nuk dukej mirë, ishte i ndotur, ishte shumë e vështirë të gjeje një vend dhe nuk ishte i sigurt. Fatmirësisht u hap ky vend i ri. Ky është një zhvillim shumë serioz. Një parking më i pastër dhe më i sigurt", tha Averyanov.

 

Po ashtu, edhe 30-vjeçarja Madison Lucch tha se është e lumtur me parkingun e ri dhe se biçikleta e saj tani është e sigurt dhe e mbrojtur nga shiu. "Më pëlqen këtu, është i pastër dhe është falas për 24 orët e para", tha Lucch.

 

Lies Wutsfeld, i cili udhëton nga Amsterdami në Hagë për punën e tij, tha se parkingu i ri e bëri udhëtimin e tij më të gjatë, ndërsa parkingu i mëparshëm ishte shumë afër platformës së trenit.

 

"Pjesa e përparme e parkingut të ri zakonisht është plot, më duhen dhjetë minuta për të ecur deri te treni pasi të parkoj biçikletën time", tha Wutsfeld./TRT