Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi në Shërbimin e Nefrologjisë në Spitalin Qendror në QSUT, 38-vjeçarin Santos Dervishi, i cili ka kryer me sukses transplantin e veshkës falas në strukturat jopublike, me financim 100% nga shteti.

 

Ministrja theksoi se “qeveria mbulon paketën e transplantit të veshkave dhe prej pikënisjes e deri më sot, janë 142 qytetarë të cilët kanë përfituar nga transplanti i veshkës falas”.

 

“Janë një mbështetje e vërtetë për ata të cilët kanë më shumë nevojë. Një paketë, e cila mbështetet 100% nga shteti, pra është falas. Ka një kosto rreth 11 mijë euro për realizimin e kësaj procedure dhe që prej fillimit deri më sot përfitimi është padyshim i qytetarëve, ndërkohë që shteti ka mbuluar këtë procedurë, pra këto kosto, në masën më shumë se 1.5 milion euro për të gjithë ata që kanë kryer transplantin. Bashkë me dr. Almën, dr. Arjanën dhe gjithë ekipin e shërbimit të nefrologjisë ne jemi duke vlerësuar që të kemi sa më shumë qytetarë të përfshirë në listën e të transplantuarve. Nga janari e deri më sot janë 7 qytetarë të cilët janë transplantuar për 2023”,- u shpreh Ministrja Manastirliu.

 

Gjatë bashkëbisedimit me ministren Manastirliu, 38-vjeçari u shpreh se nuk e kishte besuar se transplanti kryhej falas. Ai tha se tani jeta e tij ka ndryshuar.

 

“Edhe sot nuk e besojnë që e kam bërë këtë gjë, ku isha dhe ku jam. Tre javë kam që e kam bërë, çdo gjë falas, nuk e besoj dot as vetë”, – u shpreh Santos Dervishi.

 

Duke folur për procedurën e dializës, Manastirliu tha se “kemi bërë hapa të mëdhenj në gjithë këto vite për sa i përket hemodializës, duke mbështetur më shumë se 1200 qytetarë, të cilët realizojnë afër vendbanimit të gjitha seancat e dializës, duke i bërë ata të aftë për të vijuar dhe për t’u angazhuar në jetën e përditshme”.