Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Albana Fico në një deklaratë për shtyp pas zjarrit të rënë në Urgjencën e QSUNT tha sot se “pacientët janë të  gjithë jashtë rrezikut, janë sistemuar dhe po ndiqen nga trupa  urgjencës dhe shërbimet përkatëse”.

Fico tha se “nuk ka pasur asnjë humbje jete dhe asnjë lloj përkeqësimi të pacientëve”.

Duke folur për zjarrin, Fico tha se “akoma ka një sinjal teknik alarmi që që tregon kjo ndërtesë ka elementë të lartë sigurie gjë që bën që pacientët tanë të jenë të sigurt në çdo hap kur janë nën mbikëqyrjen tonë në spital”.

“Ka qenë një efekt në një dhomë teknike. Gjithë grupi teknik ka nën kontroll çdo lloj elementi. Është një dëm i kufizuar vetëm në një dhomë teknike”, tha ajo.

Fico theksoi se të gjitha rastet e urgjencës deri në rifillimin e punës në QSUNT do të trajtohen nga Trauma dhe “Shefqet Ndroqi”.

“Spitali qendror trajton rastet më të rënda. Shërbimet kanë marrë masat e tyre. Kemi pacientë të cilët, për sigurie më të lartë i kemi lëvizur brenda QSUT. Nuk ka ndryshim të parametrave të tyre, po trajtohen. Të mos harrojmë që QSUT ka planin e emergjencës. Gjëja më kryesore menjëherë pas adresimit të momentit të parë, ka qenë edhe riorganizimi. Nën lidershipin e ministres së Shëndetësisë menjëherë u bë një mbledhje blic ku u piketuan gjithë hapat e tjerë. Kemi vijuar të ndajmë shërbime urgjence me Traumën dhe “Shefqet Ndroqin’, do të devijohen urgjencat në këto dy spitale”, u shpreh Fico.

E pyetur për standardin e punimeve në urgjencën e QSUT, Fico tha se “nuk ka asnjë diskutim për standardin e punimeve sepse ne nuk kam një përgjigje të saktë për shkakun kjo është arsyeja që nga grupet teknike dhe autoritete po hetojnë për shkaqet. Ku spital është marrë në dorëzim duke vlerësuar të gjitha specifikimet teknike. në ditët në vijim do t’iu informojmë për më shumë”.

Fico vuri në dukje “familjarët e pacientëve janë të mirëinformuar se gjendja e pacientëve është e pandryshuar”.

“Situata e rënies së zjarrit u konstatua nga strukturat e spitalit që punojnë 24/7 dhe kanë qenë njerëzit tanë të monitorimit që lajmëruan”, tha Fico./ata