Katër avionë ushtarakë kinezë dhe katër rusë hynë të martën pa paralajmërim në zonën e mbrojtjes ajrore të Koresë së Jugut, duke detyruar autoritetet në Seul të ngrinin në ajër avionët luftarakë.

 

Komanda e shtabit të përgjithshëm koreano-jugor ka bërë me dije se avionët kinezë dhe ata rusë fluturuan rreth orës 11 e 50 me orën lokale, rreth 4 e 50 e mëngjesit me orën tonë.

 

Gjithsesi, mjetet luftarake ‘armike’ nuk depërtuan në hapësirën ajrore koreano-jugore, bënë të ditur zyrtarët vendas.

 

Disa orë më vonë, Ministria e Mbrojtjes në Pekin njoftoi papritur se Kina dhe Rusia kishin organizuar dhe realizuar patrullimin e gjashtë ajror në detin e Japonisë dhe atë të Kinës lindore.

 

Sidoqoftë, lëvizja përkon me rritjen e manovrave ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre në rajonin e Azisë së Paqësorit.

 

Patrullimi i fundit i përbashkët mes Kinës dhe Rusisë daton në nëntor të 2022-shit, kur Seuli ngriti në ajër avionët e tij luftarakë, pasi bombarduesit kinezë “H-6K” dhe ata rusë “TU-95” hynë në zonën e mbrojtjes ajrore koreano-jugore.

 

Me atë rast edhe Tokioja mobilizoi avionët e tij për t’iu përgjigjur bombarduesve të Pekinit dhe dy dronëve rusë të interceptuar në fluturim mbi detin e Japonisë.

 

Zona e mbrojtjes ajrore është hapësirë ku vendet përkatëse kërkojnë që avionët e huaj, sidomos ata ushtarakë, të marrin masa të posaçme për t’u identifikuar.

 

Ndryshe nga hapësira ajrore e një shteti, që është ajo mbi territorin dhe ujërat e tij, nuk ka rregulla ndërkombëtare që e disiplinojnë.