Pas tensioneve dhe incidenteve të regjistruara ditën e djeshme gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, kolegji i Kryetarëve të Partisë Demokratike ka reaguar përmes një deklarate.

 

Duke dënuar çdo akt dhune dhe duke bërë thirrje për të respektuar vendimet institucionale, Kolegji i Kryetarëve të PD thotë se çdo përpjekje për të zhbërë sakrificën e demokratëve i shërben vetëm kundërshtarëve të tyre politikë dhe atyre që duan shkatërrimin dhe asimilimin e Partisë Demokratike.

 

Sipas Kolegjit, përpjekjet për t’ju imponuar anëtarëve të PD me mekanizma përtej votës, janë përpjekje të dështuara dhe nuk janë garanci për të ardhmen e kësaj force politike.

 

“Kolegji i Kryetarëve në mbështetje dhe në besim të plotë të organeve drejtuese të Partisë Demokratike dënon çdo akt dhune duke bërë thirrje për të respektuar zgjidhjet dhe vendimet institucionale.

 

Partia Demokratike e Shqipërisë është ngritur dhe ekziston mbi sakrificën e qindra mijëra demokratëve të cilët sot më shumë se kurrë kërkojnë vetëm të dëgjohet zëri dhe vullneti i tyre, në shërbim të zgjidhjeve më të drejta për fuqizimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike.

 

Çdo përpjekje për ta zhbërë këtë vullnet, çdo tentativë për ta përbaltur mundin, sakrificën dhe shqetësimin e atyre demokratëve të ndershëm që kanë punuar pa u lodhur për çdo votë dhe çdo mandat të deputetëve të Partisë Demokratike, i shërben vetëm kundërshtarëve tanë politikë, i shërben atyre që duan shkatërrimin dhe asimilimin e Partisë Demokratike.

 

Mendimet ndryshe, alternativat për zgjidhjen më të mirë për të ardhmen e Partisë Demokratike, zgjidhen me të vetmin mjet demokratik që garanton standartin e çdo procesi dhe kjo është VOTA.

 

Përpjekjet për t’ju imponuar anëtarëve të Partisë Demokratike me mekanizma përtej votës, janë përpjekje të dështuara dhe nuk janë garanci për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe bashkërendimin e aksionit tonë politik”, tha Kolegji i Kryetarëve të PD.