Një shqiptare 66- vjeçare u arrestua, pasditen e djeshme në Athinë, nga policia e Athinës, me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike dhe të falsifikimit. Sipas ELAS-it, shqiptarja akuzohet se shiste drogë afër shkollave në zonën e Kato Patisisë.
Konkretisht, pas një hetimi të kryer, me asistencën e një qeni policie, u konstatua se 66-vjeçarja kishte në shtëpinë e saj me qëllim shitjeje 57 pako me kanabis të papërpunuar, me peshë totale 1088 gram.
Njëkohësisht janë gjetur dhe konfiskuar katër peshore elektronike precize, 227 pako të përshtatshme për futjen e lëndëve narkotike në shitje, shuma prej 3830 euro dhe një kartëmonedhë e falsifikuar 50 euro. Gruaja e arrestuar është dërguar në Prokurorinë Penale të Athinës.