Një vajzë një vjeçare u gjet e vdekur brenda një makine në zonën e Cecchignola, në jug të Romës .

Sipas mediave italiane, babai, i cili është punonjës policie, ka dalë nga shtëpia në mëngjes për të shkuar në punë dhe ka marrë me vete fëmijën për ta dërguar në çerdhe.

Bashkëshortja e tij duhej ta merrte vajzën në mesditë, por kur ajo mbërriti në dyert e çerdhes, edukatoret i shpjeguan se vajza nuk kishte qenë kurrë aty gjatë ditës.

Duke qenë se babai i vajzës punonte shumë pranë çerdhes së fëmijëve, nëna duke dalë nga kopshti ka pikasur makinën e parkuar të të shoqit me foshnjën në të.

E frikësuar vrapoi drejt saj dhe me ndihmën e një kalimtari kanë thyer xhamin duke nxjerrë fëmijën por ishte tepër vonë sepse vajza e vogël tashmë kishte ndërruar jetë.

Ekipet e shpëtimit kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë konstatuar vdekjen e fëmijës së vogël.

Autoritetet po kryejnë një hetim për tragjedinë. Sipas rindërtimit fillestar të ngjarjes, babai ka parkuar jashtë çerdhes dhe ka harruar të marrë fëmijën me vete, duke bërë që qëndrimi brenda makinës pa ajër dhe në të nxehtë t’i marrë jetën 1-vjeçares.