Një turiste britanike ka denoncuar një 23-vjeçar shqiptar me akuzën se e ka përdhunuar teksa notonin në det si dhe është përpjekur ta bëjë një gjë të tillë për të dytën herë në hotel.

 

Turistja, emri i së cilës nuk bëhet i ditur, dëshmoi se e kishte takuar të riun dy javë pas shkëmbimit të disa mesazheve në WhatsApp përpara se të takoheshin personalisht javën e kaluar.

 

Sipas mediave të huaja, shtetasi shqiptar ka insistuar para hetuesve që ata kanë pasur marrëdhënie seksuale me dëshirë para se të hanin së bashku dhe më pas kanë shkuar në dhomën e saj për të bërë seks sërish.

 

Turistja britanike i tha policisë se ajo e kishte takuar të dyshuarin në dhomën e saj të hotelit pasditen e 3 qershorit përpara se të binin dakord të hipnin me motorin e vëllait të tij për në plazhin e Glystras ku shkuan për të notuar.

 

Ajo tha se burri më pas e sulmoi atë kur ishin në det dhe e përdhunoi. Më pas viktima ka shkuar në breg, është veshur dhe i është lutur të dyshuarit që ta kthente në dhomën e saj të hotelit.

 

Por kur mbërritën në hotel në orën 16:00,  23-vjeçari e ndoqi atë përsëri në dhomën e saj ku i hoqi rrobat dhe u përpoq ta sulmonte sërish seksualisht.

 

Këtë herë gruaja mundi ta largonte nga vetja dhe e detyroi të largohej nga dhoma. Viktima më pas u largua nga hoteli dhe raportoi përdhunimin dhe sulmin në policinë e Rodosit.

 

Detektivët nisën një hetim për shqiptarin. Ai u gjet disa orë më vonë dhe u dërgua në komisariat. Ndaj tij është ngritur një akuzë për përdhunim, për të cilin mund të dënohet deri në dhjetë vjet burg.

 

Ai tani është liruar nga paraburgimi me kusht që të mos largohet nga vendi, ndërkohë që hetimi vazhdon.