Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela i kërkon Këshillit të Lartë të Prokurorisë nisjen e procedurës se komandimit të një prokurori ndërlidhës në Eurojust.

 

Prokuroria e Përgjithshme njofton se në mbështetur të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Eurojust, Prokurori i Përgjithshëm i parashtroi Këshillit të Lartë të Prokurorisë kërkesën për komandimin e një prokurori ndërlidhës në Eurojust, për një periudhë 2 vjet e 6 muaj.

 

Në vijim të kësaj kërkese, Këshilli i Lartë i Prokurorisë bëri njoftimin për shprehje interesi nga prokurorët për komandimin e një prokurori në Eurojust.  Në përfundim të periudhës së aplikimit, emrat e dy kandidatëve ju dërguan Prokurorit të Përgjithshëm, i cili në vijim njoftoi Këshillin e Lartë të Prokurorisë për përzgjedhjen nga ana e tij të prokurores pranë Gjykatës së Apelit Tiranë Fatjona Memçaj, për përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë në Eurojust.

 

“Në vijim të njoftimit për përzgjedhjen e emrit nga Prokurori i Përgjithshëm, me vendimin nr.276, datë 17.12.2020, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi komandimin e magjistrates Fatjona Memçaj në pozicionin e prokurorit ndërlidhës në Eurojust. Sipas vendimit komandimi filloi në datën 1.01.2021 dhe për rrjedhojë përfundon në datën 30.6.2023. Nga sa më sipër, në cilësinë e autoritetit kompetent për zbatimin e marrëveshjes sipas nenit 4 të marrëveshjes së sipërcituar, duke e çmuar të nevojshëm përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë me një prokuror ndërlidhës në Eurojust, i kërkoj Këshillit të Lartë të Prokurorisë nisjen e procedurës së komandimit të një prokurori ndërlidhës në Eurojust për një periudhë prej 2 vitesh e 6 muajsh, sipas përcaktimeve të parashikuara në nenin 5 të marrëveshjes. Nisur nga rëndësia e procesit dhe e përfaqësimit tonë në këtë organizatë ndërkombëtare, duke marrë në konsideratë dhe aspektet administrative që lidhen me akomodimin e prokurorit që do të përzgjidhet, është e nevojshme nisja sa më shpejt e procedurave përkatëse”, thuhet në kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela./ATSH