Në mjediset e batalionit të Xhenios të Komandës Mbështetëse, u zhvillua ceremonia e nisjes së Kontingjentit XIII EOD, i cili do të marrë pjesë në misionin e Prezencës së Përparuar të Përforcuar (Enhanced Forward Presence – eFP) të NATO-s, si pjesë e grup – batalionit kanadez të dislokuara në Letoni.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast mori pjesë zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajore Manushaqe Shehu, komandanti i Komandës Mbështetëse, Gjeneral brigade Ferdinant Dimo, drejtorë drejtorish në Shtabit të Përgjithshëm, familjarë, etj.
Në përshëndetjen e saj drejtuar trupave, gjeneralmajor Shehu u shpreh se “struktura EOD është bërë një aset dhe kapacitet operacional i sprovuar në shumë angazhime brenda dhe jashtë vendit me vlera të veçanta për Forcat e Armatosura dhe Shqipërinë, e cila është e aftë të kryejë detyra shumë të vështira”.
Gjeneralmajore Manushaqe Shehu shprehu bindjen se personeli i këtij kontingjenti do të jetë në lartësinë e detyrës së ngarkuar dhe do të mbajë lart e me krenari flamurin tonë kombëtar në Letoni.
Ceremonia vijoi me dorëzimin e flamurit për Kontingjentin XIII EOD, nga komamdanti i Komandës Mbështetëse gjeneral brigade Ferdinand Dimo dhe u përmbyll me një foto të përbashkët./ATSH