Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë, grupim informal i krijuar rishtazi me objektivin kryesor – Promovimin dhe mbështetjen e të drejtave në punë, dialogut social dhe punës së denjë në të gjithë sektorët e ekonomisë në Shqipëri, zhvilloi sot një manifestim me rastin e 1 Majit, Ditës së Punëtorëve.

 

Koalicioni përbehet nga organizata joqeveritare, sindikata si dhe grupime të tjera të interesit të përbashkët, që synojnë të ndihmojnë në përmirësimin e kushteve të punës dhe të drejtave të punëtorëve.

 

Këtë të hënë, Koalicioni ftoi qytetarët në formën e një tubimi paqësor ku folës të ndryshëm prekën temat aktuale që shqetësojnë sot punonjësit në vend. Në fjalimet e mbajtura u fol  për situatën aktuale të punëtorëve dhe punonjësve shqiptarë, ndërsa u vunë në dukje disa problematika si shkeljen e të drejtave themelore, dinjitetit, mungesës së respektit institucional dhe njerëzor.

 

Po ashtu, folësit shtruan për diskutim zgjidhjet, mundësitë e organizimit dhe krijimit të frymës së protestës dhe kërkesës së të drejtave deri në realizimin e tyre.

 

1 Maji është dita në kujtim të martirizimit në sheshin “Haymarket” dhe njihet si Dita e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punëtorëve.