Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka deklaruar se drafti i propozuar nga kryeministri Edi Rama për Asociacionin e komunave serbe në veri, nuk bëhet kurrsesi për të dëmtuar Kosovën.

 

Gjatë një interviste në emisionin Now në Euronews Albania, Pacolli tha mbrëmjen e djeshme se Rama është një faktor i rëndësishëm në rajon.

 

“Unë shpresoj se s’do të më kuptoni gabim. Duhet ta dini se nuk kam asnjë interes me z. Rama, as ekonomik, as politik, jemi miq, na lidh një miqësi e painteres asnjëherë. Asnjëherë nuk kam kërkuar asnjë favor nga zoti Rama, por diçka është e sigurt. Duam apo nuk duam, zoti Rama është një faktor i rëndësishëm në rajon. Pamë një shkrim fantastik që bëri dhe The Economist. Ne kemi nevojë çdo ditë e më shumë për njerëz si zoti Rama dhe ai e gëzon respektin tim,” – u shpreh Pacolli.

 

Ai theksoi se “veprimin e tij, Rama nuk e ka bërë absolutisht me qëllim që të dëmtojë Kosovën apo t’i marrë diçka nga pasuria mendore apo nga meritat e Kurtit. Sigurisht, ai ka pritur deri tani. Rama di diçka më tepër, se është duke ndodhur diçka dhe natyrisht para kësaj situate e pa se është e mundur dhe ka vepruar”.

 

“Nuk e di kush e ka iniciuar, a është konsultuar apo jo me Kurtin, me cilin faktor ndërkombëtar është konsultuara kryeministri Rama dhe kush është përpiluesi i draftit. Por si iniciativë e përshëndes dhe duke e njohur Kryeministrin Ramën, jam i bindur se nuk do bënte asnjë lëvizje që të dëmtonte Kosovën apo z.Kurti”, nënvizoi Pacolli.

 

Ai shtoi se “kam pasur rastin të punoj Ramën dhe çdo kund ka folur për Kosovën, e ka mbrojtur Kosovën dhe është një njëri që i ka dalë zot Kosovës”.