Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka vijuar me akuzat ne lidhje me zgjedhjet e 14 Majit, të cilat i ka cilësuar si farsë elektorale. Në konferencën e përjavshme për mediat, Berisha është shprehur se në Elbasan janë lejuar të votojnë edhe fëmijë në moshën 10-vjeçare dhe sipas tij kjo është e filmuar.

 

“Në një seancë që ka vazhduar gjer në 6 të pasdites, provat filmike të pakundërshtueshme janë paraqitur përpara KAS-it, i cili siç del, kryesohet nga një kriminel i vërtetë elektoral. Pra, një proces antiligjor i faktuar me dokumente zyrtare, të marrë nga kamerat e qendrave të votimit, faktohet se është zhvilluar në shkelje flagrante të ligjit dhe të fshehtësisë së votës, injorohet nga një person që ka urrejtje në çdo qelizë të trupit të tij sepse është shkarkuar nga zëvendëskryeministër dhe ministër i Drejtësisë për shkak të korrupsionit. Ai nuk meriton, ai e ka vendin aty ku duhet të jetë çdo kriminel elektoral. Ju i keni ndjekur ndoshta dje, nga salla e KAS-it, në çdo qendër votimi, gjatë gjithë ditës, operatorët shkelnin ligjin elektoral, kontrollonin votën e zgjedhësve. Votimi në Elbasan ka kulmuar kur janë lejuar të votojnë edhe fëmijë në moshën 10-vjeçare dhe kjo është e filmuar. Pra, në qendrën e dytë më të madhe të vendit, de facto nuk është votuar”-tha Berisha.