Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka njoftuar përmes një shkrese partitë politike lidhur me votimin nga jashtë, se koha që ka në dispozicion për të dërguar fletën e votimit tek votuesi dhe për të pritur votën, është e pamjaftueshme.

Celibashi informon palët se kompanitë e shërbimit postar kërkojnë 30-45 ditë kohë për vajtje-ardhjen e fletës, ndërkohë që afatet që KQZ ka në dorë janë 10-12 ditë.

“Të gjithë ofruesit e shërbimit postar ndërkufitar bënë me dije se koha që u duhet për dërgimin e fletëve të votimit nga Shqipëria, në adresat përkatëse të votuesve jashtë vendit, ishte 54 ditë. Koha më e shkurtër, por që do ta vinte gjithsesi në vështirësi/pasiguri procesin, është 30 ditë. Sikurse ju e dini, afatet për regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve, së bashku me kohën për prodhimin e fletëve të votimit, daton rreth 10-12 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Në çdo rast jo më parë se 30 ditë përpara. Të gjithë operatorët, përfshi edhe atë publik, vlerësojnë se është e pamundur dërgimi i fletëve të votimit jashtë dhe kthimi i tyre në Shqipëri në një kohë më të shkurtër se 30-54 ditë. Praktikat e vendeve të tjera, ku disa prej këtyre operatorëve janë angazhuar në votimin nga jashtë, konfirmojnë afatin e dërgimit dhe të kthimit të fletëve të votimit nga jashtë, në një periudhe kohore jo më të pakët se 45 ditë”, thuhet në shkresë.

Sipas Celibashit: “Duhet përjashtuar kategorikisht alternativa e dërgimit të fletës nga votuesit drejt KQZ-së me postë të thjeshtë, pasi kjo e fundit nuk ka gjurmim të asnjë lloji. Dërgesa rekomande disponon një barcode, me anë të të cilit mund të gjurmohet i gjithë rrugëtimi. Edhe dërgesa rekomande, pavarësisht se ka mundësinë e gjurmimit, nuk ka prioritet si dërgesë. Kjo, në kuptimin e afateve. Me prioritet, konsiderohet vetëm dërgesa me postë express.”/ata