Nënkryetari i Partisë së Lirisë, njëkohësisht kryetar i grupit të këshilltarëve të kësaj force në bashkinë e Tiranës, Endrit Braimllari u shpreh sot se “opozita ka zërin e saj në bashki dhe do të udhëheqë një front të ri, atë të transparencës dhe llogaridhënies”.

 

Braimllari theksoi se gjatë këtyre viteve Bashkia e Tiranës u shndërrua në një bunker me mungesë të transparencës dhe llogaridhënies.

 

“Bashkia e Tiranës në këto 4 vite, pa opozitën në këshillin bashkiak rriti papërgjegjshmërinë, arrogancën dhe thelloi korrupsionin në këtë institucion. Bashkia Tiranë është sot simboli i një institucioni të korruptuar, abuzues me taksat e qytetarëve duke mospërmbushur detyrimet e saj për qytetin”, tha ai.

 

Braimllari u shpreh se Partia e Lirisë ka bërë denoncime të shumta për mosfunksionimin e këtij institucioni në shërbim të qytetarëve.

 

Sipas tij, çështje shumë të rëndësishme presin transparencë dhe zgjidhje nga qytetarët, si çështja e inceneratorëve, infrastruktura e qytetit, uji i pijshëm, taksat e larta.

 

Po ashtu ai theksoi se kërkohet transparencë për politikat sociale për strehimin të Bashkisë së Tiranës.

 

“Të ardhurat që bashkia mbledh nga taksa e ndërtimit nuk janë shpërndarë në mënyrë të drejtë në respekt të ligjit, për familjet dhe çiftet e reja në Tiranë që t’i ndihmojë ato për të pasur një banesë. Detyra jonë tanimë është e qartë, të kthejmë tranparencën, llogaridhënien në komisione dhe në mbledhjet e këshillit bashkiak së bashku me qytetarët e Tiranës. Do verifikojmë çdo shërbim dhe do jemi prezent kudo në çdo njësi të qytetit për të denoncuar çdo papërgjeshmëri dhe korrupsion dhe duke propozuar inciativa që do përmirësojnë jetën e banorëve”, theksoi ai.