Policia e Shkodrës vijon kontrollet nga toka, me patrulla këmbësore dhe nga ajri, nëpërmjet dronëve të Policisë, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Si rezultat i kontrolleve, evidentohen në fshatin Mnelë e Vogël dhe asgjësohen nëpërmjet djegies, 583 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i kultivimit të këtyre fidanëve. Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit për shpërdorim të detyrës.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në vijim të kontrolleve të ushtruara nga toka dhe nga ajri, me dronë të Policisë, bazuar dhe në inteligjencën policore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Mnela”, kanë konstatuar në fshatin Mnelë e Vogël, 583 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, të cilët u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një pjesë e vogël e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet e shpejta hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar të këtij rasti kultivimi, konkretisht të shtetasit N. Gj., banues në Lezhë. Vijon puna për kapjen e tij.
Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin P. Gj., kryeplak i fshatit Mnelë e Vogël, Vau i Dejës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.