Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova qëndron prapa vlerave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, megjithatë tha se rruga për qetësimin e situatës në katër komunat veriore duhet të nisë me largimin e siç i quajti ai, bandave kriminale atje.

 

“Rruga përpara për qetësim dhe për normalizim nënkupton ndalimin e menjëhershëm të dhunës nga bandat kriminale para objekteve të komunës ndaj zyrtarëve të Policisë, ndaj ushtarëve të NATO-s, ndaj gazetarëve dhe ndaj kryetarëve të komunave”, deklaroi Kurti.

 

Kurti tha se prania e policisë në veri mund të zvogëlohej në mënyrë propercionale vetëm nëse largohen siç tha ai, bandat kriminale nga veriu dhe arrestohen personat që shkaktuan dhunë.

 

Kryeministri Kurti i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtarë që të punojnë në drejtim të intensifikimit e dialogut për zbatim të marrëveshjeve të 27 shkurtit e arritur në Bruksel dhe asaj të 18 marsit, e dakorduar në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

 

“Kemi nevojë për sekuencim të balancuar dhe fer të zbatimit të marrëveshjes bazike. Marrëveshjen jo vetëm që e kemi pranuar të dyja vendet, Kosova dhe Serbia por ajo është edhe pjesë e konkluzioneve të Këshillit Evropian të datës 9 shkurt 2023”, theksoi Kurti.

 

Duke iu referuar tensioneve në veri, Kurti, tha se deri në zgjedhjet e hershme në komunat veriore, kryetarët e tanishëm duhet ta ushtrojnë detyrën e tyre, ndërsa u bëri thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje.

 

Më tej Kurti tha se objektet komunale janë në pronësi të Kosovës dhe se nuk do të lejohet që ato të shndërrohet në objekte në pronësi të një etnie të caktuar.

 

Sa i takon dhunës së shkaktuar nga protestuesit në javët e fundit në veri, Kurti tha se ajo buron dhe urdhërohet nga Beogradi.

 

Këto komente kryeministri Kurti i bëri të dielën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

 

Janë bërë dy javë prej se grupe të serbëve janë duke protestuar para objekteve komunale në katër komunat veriore si kundërshtim ndaj hyrjes së kryetarëve shqiptarë në këto objekte.

 

Protestat u tensionuan kohë pas kohe derisa më 29 maj, u lënduan 30 pjesëtarë të KFOR-it, të cilët po qetësonin situatën në terren. Tre ushtarë u plagosën më armë zjarri nga protestuesit./REL