Në zbatim të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për vigjilencë të shtuar dhe për angazhim në terren, me fokus parandalimin dhe goditjen e krimeve ndaj mjedisit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi, kanë intensifikuar kontrollet dhe si rezultat kanë evidentuar dhe goditur 2 raste të tjera të prerjes së kundërligjshme të druve për zjarr. Për këto raste u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
A. P., 22 vjeç, banues në lagjen “Mark Lula”, Shkodër dhe N. P., 59 vjeç, banues në fshatin Omaraj, Malësi e Madhe.
Këta shtetas u kapën teksa transportonin me automjete, rreth 9 m3 dru për zjarr, të cilët ishin prerë në kundërshtim me ligjin. Sasia e druve dhe automjetet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër apelon për të gjithë qytetarët që të mos implikohen në veprimtari të kundërligjshme në dëm të mjedisit: si prerje të paligjshme të drurëve, ndërtime pa leje, marrje të kundërligjshme të inerteve, shpërdorim të tokës, ndotje të saj, të ujërave apo të ajrit, pasi kontrollet vijojnë pandërprerë edhe gjatë natës, dhe çdo tentativë do të konstatohet dhe do të goditet me forcën e ligjit.