Nxënësit e shkollave të fondacionit turk Maarif në Shqipëri kanë zgjedhur të shpalosin mendimet e tyre në lidhje me 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Turqisë përmes vizatimeve dhe eseve.
Një mori vizatimesh ku njëri ishte më i bukur se tjetri tregonin miqësinë, bashkëpunimin dhe afrimitetin e dy shteteve dhe popujve shqiptarë e atij turk. Krahas vizatimeve disa nxënës të shkollave fillore, nëntëvjeçare dhe të mesme të Maarif në Shqipëri kishin zgjedhur të shpalosin ndjenjat e tyre për këto marrëdhënie përmes eseve.
Dikush shkruante për bashkëpunimin ekonomik, dikush tjetër për marrëdhëniet historike e dikush tjetër për marrëdhëniet e shkëlqyera të ditëve të sotme, ndërsa kishte nga ata që përmes pikturës apo shkrimit përkufizonte marrëdhëniet mes dy vendeve si një pasqyrë e ndhimës, bashkëpunimit dhe vëllazërisë në kohë të mirë dhe të vështirë.
Përmes një ceremonie ku të ftuar, krahas Ambasadorit të Turqisë në Tiranë Tayyar Kağan Atay, ishin Koordinatori i Maarif në Shqipëri Mesut Özbaysar, Drejtori i Institutit Yunus Emre në Tiranë Ömer Osman Demirbaş, diplomatë të atashuar në Shqipëri, studentë dhe prindër, u vlerësuan vizatimet më të bukura dhe u lexuan esetë më të mira.
Në një fjalim të mbajtur në këtë ceremoni Koordinatori i Maarif në Shqipëri Baysar tha: ‘Po shohim sot këtu filizat e reja shqiptare që rriten në shkollat tona të cilat përmes dorës së tyre na kanë dhënë mesazhe shumë të rëndësishme duke e treguar veten se janë shenja më e fortë e këtyre marrëdhënieve’.
Ndërsa e pranishme në këtë ceremoni ishte dhe nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, e cila marrëdhëniet mes dy vendeve i tregon përmes një historie të ndodhur në vitin 1997. Sipas kësaj historie ‘një grup fëmijësh shkuan në Izmir dhe kaluan pushimet e verës atje. Fëmijët e dy vendeve kaluan kohë dhe luajtën sëbashku. Një prej tyre isha dhe unë ku gjeta dhe shokun tim të parë që quhej Nadir. Unë mësova fjalën ‘seni seviyorum’. Ndërsa kur ndodhi një tërmet në Izmir unë isha në SHBA dhe Nadiri telefonoi dhe tha që ishte mirë, ndërsa 20 vite më pas telefonova unë dhe i thashë që jam mirë. Gjithsecili ka jetën e tij sot por ajo që mbetet është miqësia e vërtetë. Kjo është diplomacia.’
Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë ceremoni kuptimplotë Ambasadori i Turqisë në Tiranë Atay tha se marrëdhëniet mes dy vendeve mund ti përmbledhe me disa fjalë: ‘Sinqeriteti, dashuria, mirësia’. Atay e vijoi fjalën e tij kështu: ‘Jam i impresionuar nga interesi i fëmijëve të cilët kanë bërë punime shumë të bukura. Uroj dhe qindra vite të tjera të marrëdhënieve dhe më vjen keq që ky 100 vjetor përkon me një vit që ndodhi tërmeti, por unë jam shumë krenar për impenjimin dhe mbështetjen e shqiptarëve,’ duke vënë theksin tek ndihma e ndërsjelltë e dy vendeve në rastet kur ndodhën tërmetet në Shqipëri dhe Turqi.