Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba ka thënë se dhjetëra shpëtimtarë nga vendi do të jenë në dispozicion të ndihmojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në Türkiye, pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin të hënën.

 

"Dhjetëra shpëtues ukrainas do të jenë në gjendje të ndihmojnë Türkiye-n, fqinjin tonë, mikun tonë, pa shkatuar pengesa në kapacitete e shërbimeve të shpëtimit në Ukrainë", tha Kuleba për mediat lokale të hënën vonë.

 

Kuleba tha se zhvilluan konsultime me Ministrinë e Brendshme të Ukrainës, ku u vendos që të dërgojnë dhjetëra shpëtimtarë në Türkiye.

 

Ai tha se Ministria e Jashtme ka marrë 20 thirrje nga shtetas ukrainas të cilët nuk mund të kontaktojnë me të afërmit e tyre në Türkiye. "Për momentin nuk kemi informacion për viktimat, por ndërkohë që vazhdojnë kërkimet nën rrënoja, presim përditësimin e informacioneve", shtoi ai.

 

Më herët, Kuleba tha se Ukraina ishte e gatshme të dërgojë një grup të madh punëtorësh shpëtimi në Türkiye, pa dhënë detaje për numrin e personelit që do të dërgohej.

 

"Ukraina është e gatshme të dërgojë një grup të madh punëtorësh shpëtimi në Türkiye për të ndihmuar në reagimin ndaj krizës. Ne po punojmë ngushtë me palën turke për të koordinuar dislokimin e tyre", shkroi ai në Twitter.

 

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy shprehu gatishmërinë e Kievit për të ofruar "ndihmën e nevojshme për të kapërcyer pasojat e katastrofës" në një deklaratë në Twitter, duke i shprehur ngushëllimet e tij presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe popullit turk.

 

Të paktën 3.381 humbën jetën dhe 20.426 të tjerë u plagosën në 10 provincat e Türkiye-s, pas tërmeteve të fuqishme që goditën pjesën jugore të vendit, tha të martën një zyrtar nga Agjencia Turke e Fatkeqësive (AFAD).

 

Të hënën herët në mëngjes, një tërmet me magnitudë 7.7 goditi qarkun Pazarcik të provincës Kahramanmaraş, më pas rreth nëntë orë më vonë, një tërmet me magnitudë 7.6 ballë, epiqendra e të cilit ishte në qarkun Elbistan të Kahramanmaraş tronditi rajonin, duke prekur disa provinca të tjera.

 

Tërmetet u ndjenë edhe në disa vende të rajonit, përfshirë Libanin dhe Sirinë./AA