Çështja e futbollistit të njohur brazilian, Robinho, duket se ka marrë një tjetër kthesë. Portali brazilian “UOL Esporte” ka publikuar sot disa audio-përgjime që datojnë në vitin 2014, kur policia italiane kishte nisur të përgjonte telefonatat e ish-lojtarit të Milanit dhe Real Madridit, pas denoncimit për përdhunim të bërë një vit më parë.

 

Akuzat çuan gjykatën e Milanos të dënojë sulmuesin me 9 vjet burgim. Robinho, në këto biseda telefonike, rikujton atë natë kur së bashku me një grup shokësh, dhunoi e abuzoi seksualisht me një vajzë shqiptare.

 

“Asgjë nuk do të ndodhë. Ishte më shumë se një vit më parë dhe ajo ishte plotësisht e dehur. Ajo as nuk e di kush jam unë. Nëse më thërret policia, do të them që nuk e kam prekur kurrë atë grua”, dëgjohet të thotë në këto përgjime futbollisti brazilian.

 

Por bisedat telefonike bëhen më serioze pak kohë më vonë, teksa shqetësimi shtohet, mbi të gjitha nga frika se mos “vajza mund të jetë shtatzënë” dhe se rasti “mund të përfundojë në media”.

 

Madje, në vazhdim ndryshojnë edhe versionet e Robinhos, nga “nuk bëra asgjë” në “thjesht bëra seks oral dhe u largova, të tjerët qëndruan atje. Ata që kanë bërë seks me të janë tashmë në Brazil”