11 sportistë elitarë do të përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Evropiane 2023 në Poloni.

 

Në ceremoninë e dorëzimit të flamurit shqiptar, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha se “kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive të vitit. Janë 48 shtete që marrin pjesë dhe Shqipëria përfaqësohet nga 11 sportistë në disiplina të ndryshme, si: boksi, taekwondo, karate, qitje, madje edhe tre disiplina të reja”.

 

Kushi i uroi suksese sportistëve dhe u premtoi se do të jetë pranë tyre për t’i mbështetur.

 

“Lojërat janë një mundësi e mirë që sportistët të garojnë e të tregojnë talentin e tyre, por janë dhe një mundësi shumë e mirë për të promovuar Shqipërinë, për të ngritur lart flamurin shqiptar, për të ngritur lart krenarinë kombëtare. Nuk ka emocion më të bukur, nuk ka krenari më të madhe sesa kur një sportist elitar në gara ndërkombëtare fiton medalje dhe flamuri shqiptar valëvitet në arenën evropiane apo ndërkombëtare. I uroj shumë suksese të gjithë sportistëve që do të na përfaqësojnë në këto lojëra dhe jam shumë e lumtur që do të jem atje t’ju mbështes që të ngrenë lart flamurin shqiptar”, tha ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.

 

Sipas ministres, Kushi pjesëmarrjet në këto lojëra janë promovimi më i mirë që i bëhet Shqipërisë.

 

“Po ashtu ka një vlerë shumë të madhe edhe për sportistët, lojërat promovojnë vlerat më të larta njerëzore, vlerat e bashkëpunimit mes kombeve të ndryshme, respektin dhe tolerancën ndaj kulturave të ndryshme. Unë jam krenare që se bashku me Komitetin Olimpik po punojmë fort që edukimi olimpik apo fryma olimpike të fillojë në mosha të reja, që tek të vegjlit, në shkolla”, tha ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.

 

Lojërave Evropiane në Krakovë dhe Malopolska të Polonisë do të mbahen nga data 21 qershori deri më 2 korrik.

 

Të gjitha sportet olimpike në këtë aktivitet do t’u ofrojnë mundësi kualifikimi sportistëve për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, në veprimtarinë më të madhe botërore sportive që do të mbahet verën e ardhshme në kryeqytetin francez.